I akuzuari për tentim vrasjen e ish-bashkëshortes dhe prindërve të saj thotë se ishte sulmuar pasi i kishte marrë fëmijët e tij

Arton Halili
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪEVCI

Qershor 9, 2021

Prishtinë –  I akuzuar nga prokuroria se kishte tentuar të vrasë ish-bashkëshorten e tij dhe prindërit e saj, A.H, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dhënë versionin e tij të ngjarjes.

Sipas tij, e gjithë ngjarja e përshkruar në aktakuzë ka ndodhur pasi që ishte sulmuar nga disa persona, pasi paraprakisht kishte shkuar për t’i marrë fëmijët e tij nga ish-bashkëshortja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

A.H po akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se më 23 prill 2020, nën ndikimin e alkoolit, kishte shkuar te familja e ish-bashkëshortes dhe pas një mosmarrëveshje, me automjetin e tij i kishte goditur në pjesë të ndryshme të trupit, ish-bashkëshorten dhe prindërit e saj.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Faik Halili, i akuzuari tha se edhe pse kishte pasur një urdhër mbrojtës të lëshuar që të mos i afrohej ish-bashkëshortes D.A, ai kishte shkuar tek ajo për t’i marrë fëmijët e tij.

Atë ditë, ai tha se kishte konsumuar alkool nga mërzia për fëmijët e tij dhe si pasojë e kësaj sipas tij, atë ditë nuk kishte qenë i plotë vetëdijshëm. Ai shtoi se atë ditë pasi që i kishte marrë fëmijët, kur i kishte dërguar te kombi i tij, ishte sulmuar.

“Pasi që i kam marr fëmijët nga D.A. duke shkuar në drejtim të kombit, Z.A., më vinte nga mbrapa ose anash, nuk më ka thënë asgjë duke lëvizur bashkë, kurse pak para se me mbërri te dera e kombit më ka kap për dore ose për jakne dhe më ngrehi dhe më tha nuk ke m’i marrë fëmijët, dhe unë vetëm i kam shti fëmijët në kombi dhe atëherë më ka goditur dikush nga mbrapa në shpinë”, ka deklaruar i akuzuari A.H.

Ai tha se edhe pasi që ishte nxjerrë nga kombi ishte sulmuar në kokë dhe në këmbë.

“G. ka tentuar të më sulmoj non-stop dhe të tjerët e tërheqshin mos me m’sulmu mu, edhe pse ka arrit me m’godit dy herë njëherë para se me lëviz kombin dhe herën e dytë pasi më kanë nxjerr nga kombi dhe më kanë mbështetur për muri ku më kanë mbajtur T. dhe J., kurse G. më ka goditur në kokë dhe këmbë dhe këta e kanë ndal dhe nuk e kanë lanë”, ka deklaruar i akuzuari A.H.

Ai tha se pasi që dikush kishte tentuar ta hap derën e shoferit, i njëjti kishte filluar ta vozis veturën përpara dhe pastaj, sipas tij e kishte goditur murin, kurse pasi që e kishte lëvizur veturën prapa dhe e kishte marr harkun për të shkuar në anën e majtë për ta kaluar veturën e të dëmtuarit Z.A., ai tha se T. e kishte goditur dritaren anash nga shoferi me pistoletë.

“E kam parë kur u thy dritarja e kam parë pistoletën në dorë”, deklaroi i akuzuari A.H.

Ai shtoi se në polici nuk kishte dashur të tregoj se kush e kishte sulmuar, e as që ka pasur pistoletë, me arsyetimin se nuk kishte dashur që t’i akuzoj dhe nuk kishte dashur të ketë probleme me tani të dëmtuarit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, i akuzuari A.H. deklaroi se nuk e ka goditur askënd, përveç se nuk ka qenë i sigurt nëse duke e lëvizur nga mbrapa veturën a ia ka shkelur shputën e këmbës N.

Tutje, ai deklaroi se gjatë gjykimit, kur kryetare e trupit gjykues ka qenë gjykatësja Suzana Çerkini, prokurorja Asllani ia kishte prezantuar dy foto, në të cilat shihet anash vetura e tani të dëmtuarit Z.A., e për të cilat foto ai tha se nuk i posedon.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Shemsije Asllani, i akuzuari A.H deklaroi se asnjëherë nuk e ka goditur stubin, pronën, shtyllën, dyert, e as veturën e zezë për çka akuzohet, por sipas tij nuk e di se kush i ka goditur.

Në fund të deklarimit të tij, i akuzuari A.H iu ka kërkuar falje tani të dëmtuarve.

Në këtë seancë është bërë edhe shiqimi i CD-ve nga vendi i ngjarjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas shikimit të video incizimeve nga vendi i ngjarjes, prokurorja Shemsije Asllani tha se në video shihet se si akuzuari me qëllim dhe me dashje kishte hyrë në rrugicë dhe kishte goditur personat e dëmtuar dhe shtëpinë e komshiut I.H.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit A.H., avokati Faik Halili pas shiqimit të video incizimeve deklaroi se automjetet dhe vetura e të dëmtuarit I.H janë lëvizur pas marrjes së të akuzuarit nga ana e policisë.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 16 qershor 2021, në ora 13:10.

Sipas aktit akuzues, A.H. akuzohet se më 23 prill 2020, nën ndikimin e alkoolit, me qëllim dhe me dashje ka shkuar tek familja e ish-bashkëshortes, ku pas një mosmarrëveshje me automjetin e tij kombi “Citroen” ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarën D.A. si dhe familjarët e saj, babain Z.A. dhe nënën S.A.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Sipas aktakuzës, A.H në kundërshtim me urdhrin mbrojtës të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që të mos i afrohet të dëmtuarës në distancë prej 300m, kishte shkuar tek familja e saj ku edhe i kishte goditur me veturë, me ç’rast u kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Për këtë veprim, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.

Në aktin akuzues thuhet edhe se A.H, ditën kritike, me dashje dhe duke tentuar të privonte nga jeta ish-bashkëshorten e tij dhe familjarët e saj, kishte dëmtuar veturën “Lancia” pronë e të dëmtuarit I.R si dhe murin e fqinjit I.H.

Me këtë rast, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “dëmtim apo asgjësim i pasurisë”. /BetimipërDrejtësi