I akuzuari për tentim vrasje shkaku i borxhit prej 500 euro nuk dëshiron të lëshohet në shqyrtim pa prezencën e avokatit, shtyhet gjykimi

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- I akuzuari Melos Rrustemaj, nuk dëshiroi që të lëshohet në shqyrtim pa mbrojtësin e tij,avokatin Besnik Berisha, në rasti ku  akuzohet se tentoi ta vriste të dëmtuarin Andi Dobraj dhe ua rrezikoi jetën Shaban e Fisnik Dobrajt, për shkak të mosmarrëveshjes rreth borxhit prej 500 euro.

Këtë e bëri të ditur, avokatja me autorizim zëvendësues Erina Berisha, nga mbrojtësi i të akuzuarit Rrustemaj, avokati Besnik Berisha, e cila njoftoi gjykatën se i akuzuari nuk dëshiron të vazhdojë shqyrtimi pa mbrojtësin e tij, raportonBetimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues Violeta Husaj-Rugova, konstatoi se i akuzuari Rrustemaj, kishte qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën nuk e kishte arsyetuar, por mbrojtësja Berisha, deklaroi se i akuzuari Rrustemaj kishte ngatërruar orën e seancës.

Gjithashtu, gjyqtarja bëri të ditur se pas njoftimit me anë të telefonit nga e autorizuara e të dëmtuarve, avokatja Kosovare Kelmendi, e njëjta ishte njoftuar nga avokati Berisha, që nuk do të jetë prezent në seancë dhe se i mbrojturi i tij nuk do lëshohet në seancë pa prezencën e tij, për këtë shkak avokatja Kelmendi nuk u paraqit në seancë së bashku me të dëmtuarit Dobraj.

Për këto arsye, nuk kishte kushte për mbajtjen e seancës, për çka gjykata mori vendim që seanca e sotme të shtyhet për 16 qershor 2022.

Ndryshe, më 28 shtator 2021, i pandehuri Melos Rrustemaj ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga prokuroria.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 30 qershor 2021, i pandehuri Melos Rrustemaj ngarkohet se në janar të këtij viti, në Pejë, pranë shtëpive të të dëmtuarve Shaban Dobraj, Andi Dobraj dhe Fisnik Dobraj, për shkak të mosmarrëveshjes të mëparshmë dhe atëçastshme, për një borxh prej 500 euro në mes të pandehurit Melos dhe të dëmtuarit Shaban, i pandehuri me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin Andi Dobraj dhe me dashje ka rrezikuar jetën e të dëmtuarve Shaban dhe Fisnik Dobraj.

Sipas aktakuzës pas një fjalosje mes të pandehurit dhe të dëmtuarve Dobraj, i pandehuri kishte nxjerrë pistoletën e tipit “Ruger” dhe derisa i dëmtuari Shaban tenton ta kapë për dorë Melosin, me qëllim që t’ia heqë psitoletën nga dora, i pandehuri shtie dy herë duke e goditur të dëmtuarin Fisnik në këmbën e majtë.

Tutje në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Shaban hedhet në trupin e të pandehurit me qëllim që t’ia kapë pistoletën dhe derisa rrëzohen të dytë, i pandehuri teksa ishte shtrirë sërish shtie dy herë nga pistoleta dhe me një predhë e godet të dëmtuarin Andi Dobraj në nënbrinjë, ndërsa më pas i pandehuri shtie tri herë në drejtim të të dëmtuarit Shaban, duke e goditur me dy predha.

Me këtë veprim, dyshohet se i pandehuri ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë nga neni 173, par.1 pika 1.5 lidhur me 28 të Kodit Penal, për të cilin parashihet dënimi jo më pak se 10 vite burgim apo burgim të përjetshëm, mirëpo sipas Kodit Penal kur vepra penale mbetet në tentativë, dënimi mund të zbutet.

I pandehuri Rrustemaj ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje nga neni 366, par.1 të Kodit Penal, për të cilin parashihet dënimi me gjobë deri më 7 mijë e 500 euro apo me dënim me burgim deri në 5 vite. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë