I akuzuari për tentim vrasje kërkon lirimin nga akuza, Prokuroria e Apelit propozon rigjykim të rastit

Lavdim Bajraktari - Rasti Valon Sadiku etj. - 08.02.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Shkurt 8, 2019

Prishtinë – I akuzuar për vrasje të rëndë në tentativë, Valon Sadiku, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Asdren Hoxha, po kërkon nga Gjykata e Apelit që të lirohet nga akuzat apo që lënda të kthehet në rigjykim.

Nëse Apeli nuk vendos ta liron nga akuzat, mbrojtja e Sadikut i ka propozuar kësaj të fundit që të paktën të ricilësojë veprën penale nga vrasje e rëndë në tentativë, në lëndim trupor dhe të njëjtit t’i shqiptojë një dënim më të butë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Mitrovicë, përmes ankesës së ushtruar në Apel po kërkon që edhe i akuzuari i dytë në këtë rast, Muharrem Kurti, që ishte liruar në shkallë të parë, të shpallet fajtor.

Lidhur me këto ankesa, është deklaruar edhe Prokuroria e Apelit, e cila si rrallë herë, ka dal në anën e të akuzuarit duke i propozuar gjykatës së shkallës së dytë që të aprovojë si të bazuar ankesën e mbrojtjes dhe lëndën ta kthej në rigjykim.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 12 dhjetor të vitit të kaluar, e kishte shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë, Valon Sadikun dhe të njëjtit i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesë vjetësh. Në këtë dënim, të akuzuari do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 6 marsi deri më 6 gusht 2014.

Kurse, i akuzuari tjetër në këtë rast, Muharrem Kurti, që akuzohej për pjesëmarrje në rrahje ishte liruar nga akuzat.

E pakënaqur me vendimin e shkallës së parë për sa i përket të akuzuarit Kurti, Prokuroria Themelore në Mitrovicë është ankuar në Apel, duke kërkuar nga Apeli që edhe Kurti të shpallet fajtor. Këtë ankesë të prokurorisë, e ka kundërshtuar përmes përgjigjes në ankesë, mbrojtësi i Kurtit, avokati Sheremet Ademi.

As i akuzuari Kurti e as mbrojtësi i tij nuk ishin të pranishëm në seancën e së premtes që u mbajt për këtë rast në Apel.

Sa i përket të akuzuarit Sadiku, ankesë ka ushtruar vetëm mbrojtësi i tij, avokati Hoxha.

Sipas kësaj ankese, aktgjykimi i shkallës së parë është kontradiktor dhe nuk përmban as minimumin e arsyetimit që duhet të përmbaj një aktgjykim. Sipas mbrojtjes, në këtë rast nuk ka pas vlerësim të provave në mënyrë të argumentuar, janë paraqitur vetëm disa rrethana që kanë të bëjnë me veprën penale të vrasjes në tentativë por jo edhe rrethanat që kemi të bëjmë me potencialisht vepër penale të lëndimit të rëndë apo të lehtë trupor.

Mbrojtësi i Sadikut, avokati Asdren Hoxha, në fjalën e tij para kolegjit të Apelit tha se i vjen mirë që edhe Prokuroria e Apeli ka propozuar që të aprovohet ankesa e tij dhe lënda të kthehet në rigjykim.

Sa i përket aktgjykimit të shkallës së parë, Hoxha tha se i njëjti nuk është hartuar në përputhje me dispozitat ligjore dhe se nuk përmban as arsyetimin e duhur.

“Nuk kemi të bëjmë me vërtetim përtej dyshimit të bazuar mirë. Nuk kemi vërtetim të plotë të fakteve vendimtare. Gjykata ka konstatuar edhe rrethana të paqena si për shembull ceket aty “i bindur që i ka privuar nga jeta të dëmtuarit, i akuzuari është larguar nga vendi i ngjarjes”. Kjo nuk është e saktë, pasi Valoni ka qenë i fundit që është largu nga vendi i ngjarjes e vet të dëmtuarit kanë deklaruar se kishin qenë në këmbë në atë moment dhe nga vendi i ngjarjes ishin larguar me taksi”, tha Hoxha në fjalën e tij.

Tutje, Hoxha tha se i mbrojturi i tij vetëm kishte shkuar për të biseduar me të dëmtuarit pasi që të njëjtit kishin pasur një konflikt një ditë më herët me të vëllain e tij dhe se i akuzuari nuk ka pas dashje që të kryej veprën penale në fjalë.

Po ashtu, Hoxha tha se edhe pse shkalla e parë disa prova, siç kishte qenë ADN, i kishte cilësuar si të parëndësishme, prapë aktgjykimin e ka bazuar në po ato prova. Sa i përket cilësimit të veprës në vrasje e rëndë në tentativë, Hoxha tha se në rastin në fjalë edhe sipas ekspertizave të kryera shihet se lëndimet nuk kanë qenë rrezik për jetë.

Në fund të deklarimit të tij, Hoxha tha se procesi në shkallë të parë kishte pasur edhe shkelje të tjera, pasi që në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur në vitin 2016, ishte konstatuar në procesverbal se i akuzuari ka pranuar fajësinë, mirëpo, gjykata nuk e kishte aprovuar dhe as refuzuar me aktvendim këtë pranim të fajësisë.

Sa i përket shqyrtimit të dytë, Hoxha tha se nuk dihet se a është mbajtur kurse gjatë vitit 2017 kishte vazhduar me shqyrtim kryesor pa u shtjerre mjetet juridike në këtë rast.

Duke u bazuar në të gjitha këto rrethana, Hoxha i propozoi kolegjit të Apelit që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza apo që lëndën të kthej në rigjykim.

Nëse Apeli nuk do të vendos për asnjërën nga këto, atëherë Hoxha kërkoi nga kolegji që të paktën të zbut dënimin ndaj të mbrojturit të tij, pasi siç tha, një dënim prej pesë viteve për një person që ka rënë ndesh me ligjin për herë të parë dhe është i martuar, është dënim shumë i lartë.

Aprovimin e ankesës së mbrojtjes dhe kthimin e lëndës në rigjykim i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë edhe Prokuroria e Apelit. Kjo e fundit, në parashtresën e saj, ka theksuar se në këtë rast mund të bëhet fjalë për lëndim të lehtë apo të rëndë trupor, e jo vrasje të rëndë në tentativë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 30 gusht 2014, Valon Sadiku dhe Muharrem Kurti, akuzohen se më 6 mars 2014, kanë kryer veprat penale “vrasje e rëndë në tentativë” dhe “pjesëmarrja në rrahje”.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Valon Sadiku, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarit Labinot Haxhiu dhe Fidan Ferizi në atë mënyrë që pas një konflikti verbal dhe fizik në mes të pandehurit Valon Sadiku e vëllait të tij, të miturit A.S dhe të pandehurit Muharrem Kurti në një anë dhe të dëmtuarve Fidan Ferizi, Labinot Haxhiu, e të miturve, D.I, I.F dhe B.V në anën tjetër është zhvilluar rrahja në mes të dy grupeve.

Në aktakuzë, thuhet se i akuzuari Valon Sadiku, i cili ka poseduar thikë, të dëmtuarin Labinot Haxhiu e ka goditur një herë në gjoks, në anën e majtë, ndërsa të dëmtuarin Fidan Ferizi e ka goditur një herë me thikë në anën e majtë në shpinë, dhe i bindur se i ka privuar nga jeta, menjëherë është larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, i akuzuari Valon Sadiku, ngarkohet nga Prokuroria për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 179 paragrafi 1 pika 1.11 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, Muharrem Kurti, akuzohet se në të njëjtën ditë, kohë dhe vend, ka marrë pjesë në rrahjen e cila ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor ndaj të dëmtuarit Labinot Haxhiu.

Me këtë, ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 190 paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikë së Kosovës.