I akuzuari për sulm mohon fajin, thotë se me të dëmtuarin vetëm foli rreth linjës së autobusëve

20191202_122020
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Dhjetor 2, 2019

 

Istog – Në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, është deklaruar i pafajshëm i akuzuari për sulm, Lirim Brahimaj.

Këtë deklarim, i pandehuri Brahimaj, e ka bërë në seancën fillestare të mbajtur të hënën, pasi që paraprakisht është njoftuar me aktakuzën nga ana e prokurorit Ersan Qavolli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pandehuri Brahimaj ka thënë se tek i dëmtuari ka shkuar të flas për linjën e autobusëve, dhe sipas tij, kjo ka qenë e gjitha.

“Unë vetëm kam shkuar aty të bisedoj dhe i kam thënë mirëdita, duke i zgjatur dorën të dëmtuarit për të përshëndetur. Kjo është e gjitha pasi që aty nuk ka pas diçka më shumë”, ka thënë i pandehuri Brahimaj.

Pas kësaj, gjykatësi Gani Rugova, ka caktuar seancën e shqyrtimit gjyqësor, më 17 dhjetor 2019, nga ora 13:15.

Prokuroria Themelore në Pejë, më 30 tetor 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Lirim Brahimaj, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “sulmi”, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri më 23 korrik 2019, rreth orës 15:45, në Istog, tek stacioni i autobusëve, pikërisht në autobusin e firmës “Renesansa”, me dashje ka sulmuar drejtuesin e autobusit “Renesansa”, të dëmtuarin Vatan Podrimaj.

Në aktakuzë thuhet se, për shkak të një mosmarrëveshje lidhur me mosrespektimin e orarit të nisjes së autobusëve, i pandehuri Brahimaj, ka hyrë në autobusin “Renesansa”, ku të dëmtuarit fillimisht iu ka drejtuar me fjalë “a jemi marr vesh dje për orarin e nisjes”, dhe pastaj e ka goditur atë me grushte në kokë. /BetimipërDrejtësi