I akuzuari për posedimin e rreth 53 kg marihuanë pranon fajësinë, kundërshton propozimin për konfiskimin e shtëpisë

IMG_8244
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Korrik 13, 2020

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, është rihapur shqyrtimi fillestar në rastin ku Adem Berisha po akuzohet se pa autorizim kishte poseduar rreth 53 kg narkotikë, të cilët kishte për qëllim t’i shiste në Austri dhe vende tjera të Bashkimit Evropian (BE).

Ai akuzohet se në bashkëkryerje me vëllain e tij, kishin poseduar në mënyrë të paautorizuar edhe armën e llojit “shot – gon – ramington”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë akuzë, ashtu si në seancën e kaluar, Berisha përsëri ka pranuar fajësinë në seancën e së hënës.

Fillimisht, shqyrtimi fillestar ndaj tij ishte mbajtur më 9 korrik të këtij viti, gjatë të cilit ai ishte përfaqësuar nga avokatja e angazhuar sipas detyrës zyrtare, Ardita Hoti.

Gjatë asaj seance, Berisha ishte deklaruar fajtor për veprat penale me të cilat e ngarkon akti akuzues.

Por, ky pranim i fajësisë ishte kontestuar më pas nga dy mbrojtësit e tij të angazhuar sipas autorizimit, avokatët Halim Halimi dhe Alban Makolli.

Ndonëse në seancën e 9 korrikut, gjykatësi ishte siguruar se i pandehuri e ka kuptuar peshën dhe rëndësinë e veprave penale për të cilat akuzohej, i njëjti nuk e kishte njoftuar atë se kishte angazhuar dy avokatë sipas autorizimit, andaj seanca kishte vazhduar me mbrojtësen e caktuar ex- officio.

Në këto rrethana, gjatë seancës së mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykatësi i rastit, Vesel Ismajli njoftoi palët se ka rihapur shqyrtimin fillestar, pasi që ishte kontestuar pranimi fajësisë së të pandehurit.

Gjatë seancës, i pandehuri pranoi fajësinë  për dy veprat penale me të cilat e ngarkon prokuroria, por lidhur me propozimin e prokurorisë për konfiskimin e shtëpisë së tij, ai deklaroi se e kundërshton.

Kjo me arsyetimin se shtëpia ishte ndërtuar nga vëllezërit e tij dhe se nuk ishte e tij.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i tij, avokati Halim Halimi deklaroi se shtëpia të cilën ka propozuar prokuroria të konfiskohet është ndërtuar 10 vite më parë dhe e njëjta nuk është ndërtuar si rezultat i veprës penale.

Në rrethana të tilla, prokurori Ilaz Beqiri i propozoi gjykatës që pranimin e fajësisë ta refuzoj, pasi që i njëjti është i mangët.

“Nuk kemi kushte për pranim të fajësisë dhe na mbetet të shkojmë në shqyrtim gjyqësor”, tha ai.

Gjykatësi Vesel Ismajli refuzoi pranimin e fajësisë të bërë nga i akuzuari.

Palët u dakorduan që me shkrim t’i paraqesin kundërshtimet për provat dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, për çka gjykatësi Ismajli pritet të vendos jashtë seancës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Adem Berisha akuzohet për dy vepra penale, “Mbajtja në kontrolle, pronësi apo posedim të pa autorizuar të armëve” dhe  “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e substancave psikotrope dhe analoge”.

Berisha akuzohet se kishte poseduar substancë të llojit marihuanë, me qëllim që ta eksportoj në Austri dhe në vende të tjera të BE-së, ashtu që gjatë një kontrolli më 1 shkurt 2016, në shtëpinë e tij në Klinë, i janë gjetur dhe sekuestruar dy thasë me narkotik në shumë prej 52 kg e 900 gram.

Sipas aktakuzës, atij i janë konfiskuar edhe një peshore digjitale si dhe mjete të tjera të punës.

Në aktakuzë thuhet se, gjatë këtij kontrolli nga Policia e Kosovës, sipas prokurorisë atij i është gjetur edhe arma e llojit “shot – gon – ramington”, të cilën e kishte pasur në posedim së bashku me të gjykuarin, vëllain e tij Skënder Salijaj. /BetimipërDrejtësi