I AKUZUARI PËR PËRVETËSIM NË DETYRË NUK E PRANON FAJËSINË NË SHQYRTIMIN FILLESTAR
Raporton: Valdet HAJDINI
Pejë – Në Gjykatën Themelore në Pejë, të martën, është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar, ndaj të akuzuarit Rasim Marmullaku për veprën penale përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës. Seanca është mbajtur në zyrën e gjykatëses Lumturije Muhaxheri,
Në këtë seancë, fillimisht prokurorja e shtetit Sahide Gashi ka lexuar dispozitivin e aktakuzës dhe veprën penale me të cilën ngarkohet i akuzuari.
Nga ana tjetër i akuzuari Rasim Marmullaku u deklarua i pafajshëm, duke mos e pranuar kryerjen e vetprës penale me të cilat ngarkohen në aktakuzë. Duke argumentuar mosekzistimin e veprës penale, i akuzuari Marmullaku tha se në këtë rast, por edhe në shumë raste tjera kanë ndodhur gabime teknike, por që në fund të vitit 2012 janë barazuar kreditë e të gjithë personave dhe askush nuk ka borxhe apo nuk është i dëmtuar nga veprimet e mia.
Pas kësaj, gjyqtarja Lumturije Muhaxheri e udhëzoi të akuzuarin për të drejtat ligjore, si dhe obligimin që në afatin ligjor prej 30 ditësh të paraqes parashtresë në gjykatë në lidhje me pretendimet e veta.
Sipas pretendimit të prokurorisë, i pandehuri Rasim Marmullaku, si person përgjegjës në Shoqatën Fshatare “Perspektiva”, në Klinë, në kohë të pacaktuar deri me datë 3 dhjetor 2011, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së luajtshme, ka marr për vete para në shumën prej 1359.55 euro, që i janë besuar në bazë të pozitës që ka pasur në shoqatë. Këtë shumë të mjeteve është dashur që në emër të mbylljes së kredisë, t’ia dorëzoi Kredetimit Rural të Kosovës-KRK, ndërsa përvetësimi i mjeteve është kuptuar kur zyrtari i KRK-së kërkon të hollat e kredisë nga kredimarrësi Fazli Berisha. Seanca e ardhshme u caktua për 16 maj 2016.