I akuzuari për përvetësim në detyrë, nuk e pranon fajësinë, kërkon avokat mbrojtës
Raporton: Lutfi MORINA
Prizren – I akuzuari Besnik Huqaj ka mohuar fajësinë për veprën penale të përvetësimit në detyrë dhe ka kërkuar që t’i caktohet një mbrojtës sipas detyrës zyrtare për seancat e radhës.
Huqaj është paraqitur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prizren, për tu përballur me akuzën e përvetësimit në detyrë, me vlerë rreth tre mijë euro.
Prokurori i rastit, Sefer Morina, ka lexuar aktakuzën me të cilën e ngarkon të pandehurin për përvetësim të paligjshëm.
I pandehuri, Besnik Huqaj, ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën që i ngarkohet me aktakuzë.
Poashtu i njëjti, pas përfundimit të shqyrtimit fillestar, ka kërkuar që për seancat tjera t’i caktohet një mbrojtës sipas detyrës zyrtare sepse nuk ka mundësi financiare për ta angazhuar personalisht.
Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka shqyrtuar kërkesën e të pandehurit dhe ka vendosur që të njëjtit për seancën e radhës, t’ia caktojë një mbrojtës, sipas detyrës zyrtare.
Çoçaj më pas e ka udhëzuar të pandehurin për të drejtat e tij në kundërshtimin e provave dhe aktakuzës në tërësi dhe shqyrtimin e dytë e ka caktuar për 24 tetor 2016, në ora 10:00.
Kjo seancë ishte paraparë të mbahej javën e kaluar, por kishte munguar pikërisht i akuzuari, për të cilin edhe ishte lëshuar urdhër-arrest për këtë seancë.
Sipas aktakuzës, i pandehuri, akuzohet se duke punuar si arkëtar në ujësjellësin “Hidroregjioni Jugor”, dega në Dragash, ka përvetësuar nga arka, në mënyrë të paligjshme, shumën e parave prej rreth 3 mijë eurove.
Me këto veprime, i njëjti, ka kryer veprën penale të përvetësimit në detyrë, andaj nëse shpallet fajtor, rrezikon dënim me burgim deri në pesë vjet.