I akuzuari për përvetësim në detyrë, kërkon marrëveshje për pranimin e fajësisë
Raporton: Lutfi MORINA
Prizren – I akuzuari Nexhmedin Bellanica, i akuzuar për përvetësim në detyrë, ka kërkuar nga kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani një afat për të negociuar marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë.
Bellanica këtë deklaratë e ka bërë të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku është mbajtur shqyrtimi fillestar, në rastin penal të iniciuar ndaj tij.
Mbrojtësi i Bellanicës, avokati Arben Ramadani, ka deklaruar se pasi që ka pranuar provat në të cilat mbështetet aktakuza, në konsultim me klientin e tij, ka paraqitur kërkesën për arritjen e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë.
Ramadani tutje ka shtuar se prokurori i rastit nga angazhimi që ka pasur nuk ka arritur që të caktojë një termin për të arritur marrëveshjen, andaj ka kërkuar kohë shtesë.
Kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani, nuk ka pranuar që të shtyhet seanca me arsye se palëve vetëm u kishte dhënë një afat për të arritur marrëveshjen dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Me këtë rast, prokurori Genc Nixha, ka lexuar aktakuzën me të cilën e ngarkon të pandehurin me veprën penale të përvetësimit në detyrë, ndërsa i akuzuari nuk ka pranuar fajësinë.
Kryetari i trupit gjykues, ka përfunduar shqyrtimin fillestar, ndërsa shqyrtimin e dytë e ka caktuar për 24 tetor 2016, në ora 09:30.
Nexhmedin Bellanica akuzohet se duke qenë përfaqësues tregtar në ndërmarrjen “Frutti”, gjatë periudhës 2012-2014, ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shumën e parave prej rreth 15 mijë eurove.
Bellanica, këtë vepër penale e kishte bërë në atë mënyrë që pasi kishte shpërndarë pijet e ndërmarrjes “Frutti”, paratë që kishte marrë nga klientët, nuk i kishte dorëzuar në ndërmarrje por i kishte marrë për vete.