I akuzuari për përdorim të paautorizuar të armës: “A jeni drejtësi ju këtu, a o normal kështu? A duhet me shku mu fur unë, me shkru një letër shkaku i gjykatës”

IMG_7677
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Janar 27, 2021

PrishtinëI akuzuari për përdorim të armës, Zenel Beka, në seancën e shqyrtimit kryesor të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka shprehur shqetësimin lidhur me zvarritjen e rastit të tij në gjykatë.

“Çka mu mbrojt, qe 12 vjet mum mbrojt a? Mu nuk po më vyn as avokat, as ju, mu po më vyn drejtësia. Më keni lon pa punë dhe pa kurrgjo, çka jeni tu bo kështu? Po më thirr me të 16-tin apet me ardh qetu, me thon shtyhet seanca. A jeni drejtësi ju këtu, a o normal kështu? A duhet me shku mu fur unë, me shkru një letër shkaku i gjykatës, Vehbi Kashtanjevës, është aj tjetri aj tjetri, i kom krejt këto që më keni thirr, mi qit në facebook edhe po furna, s’kom çka me bo”, tha i akuzuari.

Gjykatësja Lumnije Krasniqi e ka njoftuar atë se ajo këtë lëndë e ka marrë në vitin 2019, pasi që kjo lëndë më herët është gjykuar në Departamentin e Krimeve të Rënda.

“Unë e kuptoj shqetësimin tond, po nuk është faji jem, se unë e kom marrë qet landë në 2019-tën, tetor dhe unë e kom caktu në afat rekord. Pse nuk është kry gjykimi, nuk është faji jem”, tha gjykatësja Krasniqi.

Pasi që është lexuar aktakuza nga prokurori Rrahim Podvorica, i akuzuari Beka nuk e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

“Jo, mu më ka thonë edhe ky gjyqtari qe u kon para teje, prano se pagun pak, kurrgjo, jo more se spe pranoj diçka që se kom bo. Qe 12 vjet osht kjo.  Unë  kom dëshmitarë të Shtimes që kanë qenë prezent aty që e kanë pa, s’osht e vërtetë, nuk ekziston që e kom kap unë armën dhe ju kom drejtu atyne. Unë jom kon i dëmtum, jom kon i alivanosun, se ma ka hi boks. Ata kanë bo fejesë pa paralajmërimin tem. Aj më ka rrok boks se i kom thonë keni me dal ose e thirri policinë, unë jom alivanos, e aj e ka thirr policinë, ata tjerët si njoh asnjo”, tha i akuzuari.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati sipas detyrës zyrtare, Muhamet Humolli, e ka mbështetur deklaratën e të mbrojturit të tij për mos pranim të fajësisë.

Paraprakisht në këtë seancë gjykatësja Krasniqi ka konstatuar mungesën e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve në këtë rast.

Ajo për të dëmtuarin Zenel Gashi ka deklaruar se policia e ka njoftuar gjykatën që i njëjti gjendet në Gjermani, ndërsa për dëshmitaren Valdete Brajshori policia ka njoftuar që ajo tani jeton në Obiliq dhe se nëse ka kujt t’ia lë fëmijët, do të paraqitet në seancën e sotme.

Sa i përket të dëmtuarës Fitore Gashi, dëshmitareve Elhame Rexha, Duka Gashi dhe Ajrije Gashi, gjykatësja Krasniqi tha se gjykata nuk ka prova se të njëjtat janë ftuar në mënyrë të rregullt.

Meqenëse në këtë seancë nuk janë paraqitur të dëmtuarit dhe dëshmitarët, Krasniqi e ka ndërprerë seancën dhe atë të radhës e ka caktuar për 16 mars, në orën 9:30.

Ndryshe në këtë rast seanca për konfirmim të aktakuzës ishte mbajtur më 2 shkurt 2010, në ish-Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Ndërsa më 29 tetor 2019, Departamenti për Krime të Rënda i kësaj gjykate, me arsyetimin se nuk është kompetente për gjykimin e kësaj çështje penale, këtë lëndë e kishte dërguar në Departamentin e Përgjithshëm.

Ish- Prokuroria Publike e Qarkut, më 28 mars 2008, kishte ngritur aktakuzë ndaj Zenel Bekës, të cilin e akuzon se ka kryer veprën penale të shfrytëzimit të paautorizuar të armëve, të parashikuar nga neni 328, paragrafi 1 të KPPK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Beka e ka përdorur armën me kërcënim në atë mënyrë që me 8 janar 2008, në Prishtinë, në shtëpinë e tij, pas fjalosjes dhe grindjes që ka pasur me të dëmtuarin Zenel Gashi, i cili ishte qiraxhi në këtë shtëpi dhe atë ditë ka festuar fejesën e vajzës së tij, i akuzuari e ka marrë pushkën e tij të gjuetisë dhe nga dhoma e tij ka bërtitur dhe e ka kërcënuar të dëmtuarin dhe familjarët e tij me fjalët “dilni prej shtëpisë sime se do të ju vras të gjithëve”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se gjatë përpjekjes së të akuzuarit që këtë pushkë ta nxjerrë nga mbështjellësi i saj, nëna dhe babai i tij u janë hedhur në duar dhe babai i tij ia ka marrë pushkën nga dora, ndërsa e dëmtuara Fitore Gashi, vajza e të dëmtuarit Gashi, nga frika se po i ndodh diçka babit të saj kishte dashur të kërcejë nga kati i tretë.

Siç thuhet në aktin akuzues, pas kontrollimit të shtëpisë, nga policia ishte gjetur dhe konfiskuar një pushkë e gjuetisë dhe 18 fishekë të kësaj pushke. /BetimipërDrejtësi