I akuzuari për ndihmë pas kryerjes së vrasjes thotë se kur kishte parë të ndjerin në tokë kishte ndalur një veturë për ta dërguar në spital

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj – Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka dhënë mbrojtjen e tij i akuzuari Mërgim Atanasova i akuzuar për dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale.

I akuzuari Mërgim Atanasova në këtë seancë tha se pasi që kishte vërejtur tani të ndjerin në rrugë të kryesore, kishte ndalur një veturë të tipit BMW ngjyrë të zezë dhe kishte ndihmuar që ta fusin në veturë për ta dërguar në spital, ndërsa nuk kishte shkuar me ta së bashku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nuk e di kush e ka dërgu nuk i njihja, veq e di që e kam ndal një veturë BMW të zezë por nuk kam shku me ta dhe nuk e di se kush e ka dërguar për në spital”, ka thënë i akuzuari Atanasova,

I njëjti, tha se ditën kritike kishte parë përleshjen mes të akuzuarve, po ashtu kishte vërejtur djalin e hallës së tij, Leonit Muhaxherin, që ishte pjesë e përleshjes.

Ndërsa tha se në vendin e ngjarjes i kishte vërejtur thikë tani të akuzuarit Eugen Bajralia, duke shtuar se nga vendi i ngjarjes ishte larg 10-15 metra.

Pas ngjarjes kritike sipas aktakuzës i akuzuari Mërgim Atanasova thuhet se ka organizuar ikjen e të pandehurve nga vendi i ngjarjes, në lidhje me këtë i akuzuari Atanasova tha se qëllimi i tij ishte të dërgonte djalin e hallës së tij tani të akuzuarin Leonit Muhaxheri tek familja.

“Nuk kam qenë i detyruar me vozit veturën e Eugenit, por pasi që Leoniti ishte familjar i imi e ndjeva obligim me i ndihmu”, tha i akuzuari Atanasova.

Ndryshe, i akuzuari Rinor Jashari tha se pas konsultimeve të mjaftueshme me mbrojtësin e tij, avokatin Avni Ibrahimi, tha se ka vendosur që të mbrohet në heshtje.

Në këtë fazë të procedurës, mbrojtësja e të akuzuarit Leonit Muhaxheri, avokatja Elvira Heta-Vata ka propozuar gjykatës që të bëhet një vlerësim psikologjik për të akuzuarin Leonit Muhaxheri duke pasur parasysh se i njëjti në momentin e kryerjes së veprës penale ka qenë 18 vjet e tre muaj.

E njëjta, ka kërkuar të caktohet një ekip profesional mjekësor nga Instituti i Psikiatrisë Forenzike.

Këtë propozim e ka refuzuar gjykatësi i çështjes, Ibrahim Idrizi me arsye se nuk ka asnjë provë apo shkresë që do të bënte për të besuar rrethanën e propozuar për të vlerësuar pjekurinë mendore të të akuzuarit Leonit Muhaxheri.

Seanca e radhës u caktua më 15 qershor 2022, ku pritet të jepet fjala përfundimtare e palëve.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj të përpiluar më 19 mars 2021, Leonit Muhaxheri, më 4 shtator 2020, rreth orës 20:08, në rrugën “Çesley Clark” në Ferizaj, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.Q, me ç’rast ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit Alorin Leka.

Në aktin akuzues thuhet se pas një mosmarrëveshje në mes tyre në kafenenë “Mon-Bar“, i pandehuri Leonit së bashku me të pandehurit Albin Balia dhe Eugen Bajralia kishin shkuar tek tavolina e tani të ndjerit, i cili ishte duke qëndruar me Alorin Lekën.

Aty thuhet se i pandehuri Albin i ishte drejtuar tani të ndjerit me fjalët “Çka po më kqyr, çfarë problemi ke”, e më pas me tu ngritur nga tavolina, i ndjeri së bashku me Alorin Lekën kishin dalë jashtë kafenesë dhe diku pas rreth 15 metra, përkatësisht përballë kafenesë “Escobar”, tek qoshi i banesës ndalohen nga të pandehurit.

Tutje, sipas aktakuzës, pas një fjalosje mes tyre, për një moment i pandehuri Leonit me një mjet të përshtatshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor – thikë, e kishte goditur njëherë tani të ndjerin në pjesën majtë të veshit, e më pas në përleshje e sipër, e kishte goditur edhe disa herë me thikë në pjesë vitale, përkatësisht në regjionin e shpinës, në anën e majtë.

Pas këtyre goditjeve, thuhet se tani i ndjeri ishte larguar duke vrapuar në drejtim të rrugës “12 qershori”. Mirëpo, aty thuhet se si pasojë e plagëve të marra ai ishte rrëzuar në tokë dhe nga disa kalimtarë ishte dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, me ç’rast si pasojë e plagëve të marra kishte ndërruar jetë.

Në aktin akuzues thuhet se sipas raportit të autopsisë, të 6 shtatorit 2020, kishte rezultuar se vdekja e tani të ndjerit ishte vdekje e dhunshme, që kishte ndodhur për shkak të gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, e cila gjakderdhja ishte shkaktuar si pasojë e traumës së pësuar dhe dëmtimit (shpimit) të zemrës (atriumit të majtë) dhe të mushkërisë së majtë, të shkaktuara nga mjeti shpues-thika.

Tutje, aty thuhet se përderisa i dëmtuari Alorin Leka ishte duke u përleshur me të pandehurin Albin tek parkingu i banesës, i pandehuri Leonit me thikë në dorë kishte vrapuar në drejtim të të dëmtuarit Alorin me qëllim që ta odasë, mirëpo ishte penguar nga një qytetar, ndërsa i dëmtuari kishte arritur që të largohet.

Me këtë, Leonit Muhaxheri akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, të pandehurit Albin Balia dhe Eugen Bajralia, më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, kanë marrë pjesë në rrahje, e cila kishte rezultuar me vdekjen e tani të ndjerit B.Q.

Aty thuhet se pasi i ndjeri ishte goditur me thikë në pjesën e majtë të veshit nga i pandehuri Leonit, të pandehurit Albin dhe Eugen kishin marrë pjesë në rrahje duke goditur të ndjerin disa herë me grushte në pjesë të ndryshme të trupit, e po ashtu kanë sulmuar fizikisht edhe të dëmtuarin Alorin Lekën, duke e goditur me grushte në pjesë të ndryshme të trupit.

Me këtë, Albin Balia dhe Eugen Bajralia akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Rinor Jashari akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë të cekura si më lartë, kishte kanosur seriozisht me fjalë të dëmtuarin Alorin Leka, në atë mënyrë që pas privimit nga jeta të të ndjerit B.Q. nga ana e të pandehurit Leonit, i pandehuri Rinor i ishte drejtuar të dëmtuarit me fjalët se “ty kena me ta ba ma zi”. Si pasojë e këtyre fjalëve thuhet se tek i dëmtuari është shkaktuar një ndjenjë e frikës dhe e ankthit.

Me këtë veprim, Rinor Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 1 të KPRK-së.

Kurse sipas dispozitivit të katërt, Rinor Jashari akuzohet se më 4 shtator 2020, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, duke qenë në dijeni se i pandehuri Leonit Muhaxheri ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, një gjë të tillë nuk e kishte lajmëruar tek organet kompetente. Aty thuhet se i pandehuri Leonit, menjëherë pas ngjarjes i kishte treguar atij se tani të ndjerin e kishte goditur disa herë me thikë.

Me këtë, Rinor Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre” nga neni 378, paragrafi 1, nën paragrafi 1.1 të KPRK-së.

Kurse sipas dispozitivit të pestë të aktakuzës, Mërgim Atanasova akuzohet se më 4 shtator 2020, rreth orës 20:20 në rrugën “Riza Goga” në Ferizaj, me dashje kishte ndihmuar në shmangien e zbulimit dhe mosarrestimin e të pandehurve Leonit Muhaxheri, Albin Balia dhe Eugen Bajralija.

Aty thuhet se i njëjti kishte bërë organizimin e ikjes së të pandehurve nga vendi i ngjarjes, ku fillimisht kishte marrë çelësin e veturës nga i pandehuri Eugen, i cili paraprakisht e kishte lënë veturën në parkingun e rrugës “Zenel Hajdini“, e më pas me të marrë veturën nga parkingu, kishte marrë të pandehurit Leonit dhe Eugen dhe së bashku kishin shkuar të marrin të pandehurin Albn me qëllim që t’ua pamundësojë organeve të ndjekjes arrestimin e tyre.

Me këtë, Mërgim Atanasova akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” nga neni 380, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë