I akuzuari për narkotikë kërkon të hyjë në negocim të marrëveshjes për pranim fajësie

Arber Ahmetifoto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Qershor 10, 2019

Gjakovë – I akuzuari për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, Arbër Ahmeti, të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë ka kërkuar që të hyjë në negocim të marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Një propozim të tillë, i akuzuari Ahmeti, e ka bërë përmes mbrojtëses së tij, avokates Feride Xani, të cilin më pas nuk e ka kundërshtuar prokurori Ali Uka.

Avokatja Xani, deklaroi se ka parashtruar kërkesë me shkrim për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, mirëpo pas konsultimit me klientin e saj, i ka propozuar Gjykatës që t’u mundësohet që me prokurorin e rastit ta negociojnë marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Ajo shtoi se e njofton Gjykatën që edhe nëse nuk arrihet marrëveshja për pranimin e fajësisë, ata do të heqin dorën nga kundërshtimi i provave dhe do të propozojnë që të vazhdohet drejtpërdrejtë me shqyrtim gjyqësor.

Më pas, gjykatësi Nikollë Komani seancën e radhës e ka caktuar për 12 korrik 2019, derisa e ka obliguar prokurorin që para datës së shqyrtimit gjyqësor, ta njoftojë Gjykatën lidhur me marrëveshjen.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Arbër Ahmeti po akuzohet se paautorizim ka poseduar me qëllim të shitjes substancë narkotike, në atë mënyrë që në ditën kritike, më 7 nëntor 2018, rreth orës 7:00, pas një kontrolli dhe bastisje të kryer nga ana e Policisë në shtëpinë dhe lokalet përcjellëse të të akuzuarit në fshatin Kralan të Gjakovës, në bazë të një urdhri të lëshuar nga Gjykata është gjetur dhe konfiskuar narkotikë, dhe atë njëmbëdhjetë qese të vogla të mbushura me substancë në formë pluhuri të ngjyrës së bardhë, me peshë 4.46 gramë, e llojit kokainë, si dhe një paketim i mbushur me substancë narkotike në formë bari, të llojit mariuhanë, me peshë 418.04 gramë, e që nga raporti i AKF ka rezultuar të jenë të llojit mariuhanë dhe kokainë.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohet se ka kryer veprën penale “blerje, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga enni 273 parag.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi