I AKUZUARI PËR NARKOTIKË DËNOHET ME GJASHTË MUAJ BURGIM ME KUSHT DHE 250 EURO GJOBË

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Pas pranimit të fajësisë, Besmir Haxha i akuzuar për veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht. Ky dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës kohore prej një viti. I njëjti u dënua edhe me gjobë në shumë prej 250 eurove, si dhe iu konfiskua në mënyrë të përhershme substanca narkotike e llojit marihuan, e cila iu kishte gjetur të akuzuarit.

Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjykatësi individual i çështjes Ilir Bytyqi, të hënën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ngarkonte të pandehurin Besmir Haxha me veprën penale “posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”. Sipas Prokurorisë, më 15 prill 2014 në oborrin e sallës së sportit “Bill Clinton”, në Ferizaj, derisa policia e kishte kontrolluar Haxhën, ia kishte gjetur një qese të mbështjellë me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuan, si dhe një cigare të mbështjell me marihuan, në peshë të përgjithshme 2.07 gram.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë