I akuzuari për mashtrim në Francë, pezullohet procedura ndaj tij

IMG_3292 (1)
Author

Raporton: Avni BERISHA

Nëntor 7, 2018

Rahovec – Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka pezulluar procedurën penale ndaj të akuzuarit për mashtrim, Nesir Korenica.

Gjykatësi i rastit, Ilir Rashkaj, një aktvendim të tillë e ka marr, pasi që ndaj tij kishte lëshuar urdhëresë, por nga stacioni policor ka thënë se është njoftuar se i akuzuari gjendet jashtë shtetit, respektivisht në Francë.

Në mungesë të të akuzuarit, gjykatësi Rashkaj, për të siguruar praninë e palës, ka thëqnë se do lëshojë urdhërarrest.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Gjakovë të ngritur më 7 korrik 2014, Nesir Korenica akuzohet se gjatë vitit 2010 në Rahovec me qëllim që vetit t’i sjell përfitim të kundërligjshëm e mashtron dhe e sjell në lajthim të dëmtuarin Sefer Hoti.

Në aktakuzë thuhet se mashtrimi kishte ndodhur në atë mënyrë që i akuzuari Korenica nga i dëmtuari merr automjetin e markës “Mescedes Benz 320” si paradhënie që i akuzuari t’ia gjejë banesën në Prishtinë, por të njëjtën nuk ja kishte siguruar.

Sipas aktakuzës, i akuzuari automjetin e njëjtë ia ka dhënë vëllezërve Naim dhe Nazim Gashi në emër të borxhit që kishte ndaj tyre, e me këto veprime të dëmtuarit Sefer Hoti nga fshati Ratkoc, Komuna e Rahovecit i shkakton dëm material rreth 20 mijë euro.