I akuzuari thotë se në video incizim shihet se ai kishte qenë në orar të punës kur pretendohet se ishte kryer vepra penale   

IMG-2904
Author

Raporton: Sabina PERGEGA   

Qershor 5, 2019

Prishtinë – Pas shikimit të 12 fotografive të shkëputura nga video incizimet të cilat gjenden në shkresat e lëndës, i akuzuari për lëndim të rëndë trupor, Ali Binakaj, ka thënë se ai gjendej në njërën prej këtyre fotografive, ku shihej se kishte qenë në orar të punës kur kishte ndodhur vepra penale.

Këtë deklarim i akuzuari Ali Binakaj e ka dhënë, pasi shikimit të disa fotografive të cilat ishin nxjerrë nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, e cila me urdhëresë të gjykatës, kishte pasur për detyrë që të bëjë analizimin e DVD-së për imazhet e shkëputura nga incizimi i vendit të punës së të akuzuarit.

Ai së bashku me vëllezërit të tij, Kysmet dhe Ruzhdi Binakaj, po akuzohen se me 19 nëntor 2013, e kishin goditur të dëmtuarin Dalip Krasniqi me mjete të rrezikshme, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Binakajt, në kohën për të cilën prokuroria po pretendon se ai kishte kryer veprën penale, sipas fotografive që gjenden në shkresat e lëndës, dhe të cilat janë shikuar në seancën e së mërkurës, shihej ai kishte qenë në orar të punës.

“Në foton që mban datën 19.11.2013, ora 14:47, jam unë në anën e djathtë i ngritur në këmbë, i veshur me kostum, duke shikuar monitorin afër është i ulur Xhevat Krelani, ka qenë mbikëqyrësi i kamerave i cili ka punuar në ndërrimin e parë paradite. Kjo është koha kur unë kam filluar punën, jam skenuar me ID Card, pas 2 minutash të skenimit është kjo foto ku paraqitem tani”, ka thënë i akuzuari Binakaj.

Sipas tij, në këtë kolazh të fotografive mungon një fotografi ku shihej më pasur prezenca e tij në vendin e punës.

Për shkak të mungesës së dëshmitarit Osman Gashi, seanca është ndërprerë për të vazhduar me 24 qershor 2019, në ora 14:00.

Ndryshe, në seancë ishin prezent edhe mbrojtësit e të akuzuarve dhe atë avokati Nikë Shala, mbrojtës sipas autorizimit i të akuzuarit Ali Binkaj, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Blerim Qela, i cili mbron të akuzuarin Kysmet Binakaj, dhe avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Agron Curri, i cili mbron të akuzuarin Ruzhdi Binakaj.

Sipas aktakuzës së ngritur me 13 shkurt 2014, vëllezërit Ali, Kysmet dhe Ruzhdi Binakaj me 19 nëntor 2013, rreth orës 14:45, në lagjen “Emshir”, në Prishtinë, më automjetin e tyre, ia kishin bllokuar rrugën për qarkullim të dëmtuarit Dalip Krasniqi, kishin zbritur nga vetura dhe të pajisur me mjete të rrezikshme si shufër metali, shkopinj bejsbolli, kishin sulmuar fizikisht të dëmtuarin Krasniqi.

Në aktakuzë thuhet se tre vëllezërit fillimisht ia kishin dëmtuar tre xhamat e veturës, e pasja i akuzuari Ali Binakaj e kishte goditur në kokë, në pjesët e tjera të trupit brenda dhe jashtë automjetit, ndërsa i akuzuari Kysmet Binakaj duke qëndruar tek dera e pasagjerit e kishte goditur me shkop bejsbolli në kokë dhe pjesa të ndryshme të trupit, sikurse edhe të akuzuarit të tjerë derisa i dëmtuari ishte alivanosur.

Nga këto goditje ai kishte pësuar lëndime të rënda trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

Prokuroria tre të akuzuarit i ngarkon me veprat penale “lëndim i rëndë trupor” dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”. /Betimipërdrejtësi