I akuzuari për lëndim të lehtë trupor kërkon që lënda e tij të shkojë në ndërmjetësim

62381359_632722443882624_3577342831376728064_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Qershor 11, 2019

Kamenicë – I akuzuari për lëndim të lehtë trupor, Erduan Maliqi, ka kërkuar që lënda e tij të shkojë në Qendrën e Ndërmjetësimit në Gjilan.

Një gjë të tillë, ai e ka kërkuar të martën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sllavica Popoviq, i akuzuari i ka propozuar gjykatës që seanca e së martës të shtyhet për një datë tjetër, me qëllim që siç tha ai të bisedojë me të dëmtuarin Engjëll Avdyli, që t’i mundësohet atij që kjo lëndë të dërgohet në Qendrën e Ndërmjetësimit.

Këtë propozim të akuzuarit Maliqi nuk e ka kundërshtuar prokurorja Popoviq, dhe lidhur më të, gjykatësi Sadri Krasniqi, ka marr aktvendim me të cilin seancën e së martës e ka shtyrë në kohë të pacaktuar, duke i kërkuar të akuzuarit që sa më shpejtë të bisedojë me të dëmtuarin, për të arritur një pajtim, që më pas gjykata këtë lëndë do ta dërgonte në Qendrën e Ndërmjetësimit në Gjilan.

Prokuroria Themelroe në Gjilan, më 17 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Erduan Maliqi, me arsyetimin se ai më 5 dhjetor 2018, rreth orës 13:00 në Kamenicë, përballë gjykatës, më dashje i ka shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Engjëll Avdyli.

Bazuar në aktakuzë, pas një mosmarrëveshje që kishte ndodhur një ditë më herët, në mes të dëmtuarit dhe vëllait të të akuzuarit, Beqir Maliqit, i akuzuari posa e ka takuar të dëmtuarin, e ka goditur me shuplakë në pjesën e majtë të qafës, ku i dëmtuari pëson lëndime të lehta trupore, me ç’rast kërkon ndihmë mjekësore në QKMF në Kamenicë.

Me këtë, Erduan Maliqi akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 188 paragrafi 1 nënparagrafi 4, të Kodit Penal të republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi