I AKUZUARI PËR LËNDIM TË LEHTË TRUPOR DËNOHET ME NËNTË MUAJ BURGIM ME KUSHT
Raporton : Syzana REXHEPI
Gjilan: Edison Pajaziti i akuzuar për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, pas pranimit të fajësisë u dënua me nëntë muaj burgim me kusht. Ky dënim nuk do të ekzekutohet në qoftë se i pandehuri nuk përsërit apo kryen vepër tjetër penale.
Shpallja e aktgjykimit u bë nga gjyqtari individual Islam Thaçi, të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores së shtetit Batije Ademi, i pandehuri pranoi fajësinë për veprën penale që i rëndohej, ndërsa deklaroi se i vjen shumë keq për atë që ka ndodhur sepse me të dëmtuarën ka lidhje familjare dhe se këtë vepër e ka kryer nën ndikimin e alkoolit.
Edison Pajaziti akuzohej për veprën penale “lëndim i lehtë trupor ” sepse për shkak të një mosmarrëveshje që kishte pasur me pronaren e kafiterisë “Trafik Bar”, tani të dëmtuarën A. M. I pandehuri Pajaziti fillimisht e fyen me fjalë banale, dhe pastaj e godet me grusht në kokë dhe në këtë rast të dëmtuarës i shkakton lëndime të lehta trupore, e cila për shkak të lëndimeve të pësuara detyrohet të kërkoj ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Regjional në Gjilan.