I akuzuari për krime lufte Remzi Shala s’i përgjigjet ftesës së gjykatës, dështon seanca ndaj tij

20190109_095701
Author

Raporton: Shkelzen SELMANAJ

Janar 9, 2019

Prizren – I akuzuari për krime lufte, Remzi Shala, ka munguar në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ishte paraparë të vazhdojë gjykimi ndaj tij.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, po akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala, ndryshe është edhe njëri nga personat që është ftuar për intervistim edhe nga Gjykata Speciale.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj, ka thënë se që nga momenti që i është dorëzuar ftesa nga Gjykata Speciale të akuzuarit Shala, ai nuk ka pasur më kontakt me klientin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”..

“Që nga momenti i dorëzimit të ftesës nga ana e Dhomave të Specializuara në Hagë, me të mbrojturin tim nuk kam pasur asnjë kontakt, si dhe nuk kam asnjë informatë se ku gjendet dhe ku është arratisur”, ka deklaruar avokati Bullakaj.

Ai ka thënë se në këtë seancë ka marr pjesë për t’i njoftuar palët për bojkotin që ai dhe kolegët e tij kanë nisur ndaj vendimit të KGJK-së për kufizimin e qasjes së tyre në gjykatë.

Bullakaj ka thënë se që nga ky moment e revokon autorizimin ndaj të akuzuarit Remzi Shala, për shkak të arsyeve jo korrekte të tij, të cilat sipas avokatit Bullakaj, e pengojnë rrjedhën e gjykimit në vazhdim.

Ai gjithashtu ka thënë këtë veprim po e bënë si obligim moral para gjykatës, pasi që Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), ka marrë vendim për bojkot të punës.

Me deklarimet e avokatit Bullakaj, për sa i përket bojkotit, është pajtuar edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Hoxha.

Trupi gjykues për këtë çështje, i udhëhequr nga gjykatësja Raima Elezi, ka thënë se ky shqyrtim kryesor do të ndërpritet dhe i njëjti sipas saj, do të vazhdojë në momentin e sigurimit të prezencës së të akuzuarit Remzi Shala.

Sipas gjykatëses Elezi, në këtë rast është anuluar seanca e radhës, e paraparë më 11 janar 2019.

Ndryshe, Remzi Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël.