I AKUZUARI PËR KORRUPSION PRANON FAJËSINË, GJYKATA E DËNON ME GJOBË
Raporton: Arbelina DEDUSHAJ
Pejë – Blend Mjeku i akuzuar për “dhënie të ryshfetit”, në seancën e së hënës, në Gjykatës Themelore në Pejë, në shqyrtimin fillestar ka pranuar fajësinë, për të cilën Gjykata ia ka shqiptuar një dënim me gjobë prej 150 eurove, të cilën obligohet ta paguaj së bashku me paushallin gjyqësor prej 25 eurove.
Po ashtu sipas propozimit të prokurores së shtetit Valbona Disha-Haxhosaj, gjykata morri vendim që të akuzuarit për ryshfet t’i konfiskohet edhe kartëmonedha prej 10 eurove me të cilën është kryer vepra penale.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë të 22 prillit 2016, i pandehuri Blend Mjeku më 19 prill 2016 në mënyrë direkte i kishte ofruar dobi pasurore personit zyrtar, përkatësisht zyrtarit policor të trafikut me qëllim që të njëjtit mos t’i shqiptohet dënimi për tejkalim të shpejtësisë me ç’rast Mjeku kishte kryer veprën penale dhënia e ryshfetit.