I akuzuari për korrupsion injoron Gjykatën, lëshohet urdhër-arrest ndaj tij

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – I akuzuari Kastriot Huqaj ka munguar në seancën e paraparë për tu mbajtur tw enjten,  në Gjykatën Themelore në Prizren, ku pritej të fillonte procesi gjyqësor ndaj tij.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, ka konstatuar se i akuzuari është njoftuar në mënyrë të rregullt për kohën dhe vendin e seancës, por i njëjti mungon dhe se mungesën nuk e ka arsyetuar.

Me këtë rast, Çoçaj, në mungesë të kushteve ligjore, ka shtyrë gjykimin për 21 shtator 2016, në ora 10:00 dhe ka lëshuar urdhër-arrest për të pandehurin.

Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurori Sefer Morina, i pandehuri, akuzohet se duke punuar si arkëtar në ujësjellësin “Hidro – Regjioni Jugor” , dega në Dragash, ka përvetësuar nga arka, në mënyrë të paligjshme, shumën e parave prej rreth 3 mijë eurove.

Me këto veprime, i njëjti, ka kryer veprën penale të përvetësimit të paligjshëm, andaj nëse shpallet fajtor, rrezikon dënim me burgim deri me pesë vjet.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë