I akuzuari për kanosje ndaj zyrtarit policor kërkon të negociojë marrëveshjen për pranim fajësie

Burim Rexhepi1
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Shtator 3, 2020

Viti – I akuzuari për kanosje, Burim Rexhepi, ka propozuar që të hyjë në negocim të marrëveshjes për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Gjilan.

Ai akuzohet se me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe të ankthit, ka kanosur seriozisht me fjalë zyrtarin policor Gëzim Jerliu, në lidhje me punën e tij, ashtu që për shkak të ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak të moszbatimit të masave mbrojtëse kundër virusit Covid-19 dhe shqiptimit të tiketës, i njëjtit reagon në mënyrë agresive dhe Jerliun e fyen me fjalë të rënda ofenduese dhe kërcënuese, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja e angazhuar sipas detyrës zyrtare, Albana Aliu, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i ndërpritet masa e paraburgimit, si dhe  ka propozuar që kjo seancë të shtyhet, pasi që kanë vendosur që të bëjnë kërkesë për negocim të pranimit të fajësisë.

“Meqenëse klienti im është në paraburgim nga data 15 gusht 2020, ne mendojmë, që arsyet  për të cilat është shqiptuar masa e paraburgimit, tani më nuk janë të qëndrueshme, nisur nga fakti se të njëjtit i dihet identiteti si dhe adresa e vendbanimit, dhe se i njëjti nuk ka mundësi dhe as nuk ka dëshirë që ti shmanget drejtësisë, po ashtu i njëjti nuk mund të ndikoj, në dëshmitar apo ti asgjësoj provat”, ka thënë avokatja Aliu.

Tutje, ajo ka shtuar se kërkon nga gjykata që të u jepet mundësia për arritjen e një marrëveshje për pranimin e fajësisë në Prokurori.

Prokurorja Kujtesa Fazliu nuk e ka kundërshtuar një kërkesë të tillë, pasi që sipas saj, kjo është në përputhje të plotë me dispozitat ligjore, duke shtuar se organi i akuzës është i gatshëm që ta shqyrtojë këtë marrëveshje.

Më pas, gjykatësja e çështjes, Drana Simani, e ka aprovuar kërkesën e mbrojtëses së të akuzuarit, për ndërprerjen e seancës, duke u dhënë afat prej 40 ditësh që ta njoftojnë gjykatën lidhur me këtë marrëveshje.

Ndërsa ka refuzuar propozimin për ndërprerjen e paraburgimit, duke ia vazhduar këtë masë edhe për 60 ditë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 24 gusht 2020, nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Burim Rexhepi akuzohet se me 15 gusht 2020, rreth orës 21:45, në rrugën “Adem Jashari”, në Viti, me qëllim të shkaktimit të frikësimit dhe të ankthit, ka kanosur seriozisht me fjalë personin zyrtar dhe atë zyrtarin policor Gëzim Jerliu, në lidhje me punën e tij, ashtu që për shkak të ndalimit nga ana e zyrtarëve policor, për shkak të moszbatimit të masave mbrojtëse kundër virusit Covid-19, dhe shqiptimit të tiketës, i njëjtit reagon në mënyrë agresive  dhe në fillim e fyen me fjalë të rënda ofenduese dhe kërcënuese me fjalët, “Kur e përfundon ndërrimin… se unë dhe ti disa probleme kemi më i sqaru… o pa të vra nuk kam me lan..”, ku përkundër vërejtjeve të dhëna nga ana e zyrtarëve policor, i njëjti ka vazhduar të përdorë fjalë fyese dhe kërcënuese dhe për këtë shkak i njëjti është arrestuar.

Sipas aktakuzës, në këtë mënyrë i akuzuari më veprimet e tij, tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth, në kryerjen e detyrave të tij si zyrtarë policor. /BetimipërDrejtësi