I akuzuari për grabitjen në Gjilan kërkon nga Apeli zbutjen e dënimit

Lavdim Bajraktari - Rasti Arsim Avdiju - 11.10.2018
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Tetor 11, 2018

Prishtinë – Me pretendimet se shkuarja në vuajtje të dënimit do ta dëmtonte familjen e tij, i akuzuari për grabitje, Arsim Avdiju, po kërkon nga Gjykata e Apelit që t’i zbutet dënimi me burg i shqiptuar ndaj tij nga ana e gjykatës së shkallës së parë.

Gjykata Themelore në Gjilan, në prill të këtij viti, të akuzuarit Avdiju i kishte shqiptuar dënim me burgim prej një viti, pasi që të njëjtin e kishte shpallur fajtor për veprën penale të grabitjes.

Të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe Amir Veliju dhe Palot Miftari, mirëpo, ndaj tyre, shkalla e parë kishte nxjerr aktgjykim refuzues për shkak se prokurori ishte tërhequr nga aktakuza.

E i pakënaqur me aktgjykimin e Themelores ka mbetur i akuzuari Avdiju dhe mbrojtësi i tij, Nasuf Nasufi, të cilët me dy ankesa të ndara i janë drejtuar Gjykatës së Apelit.

Në ankesën e të akuzuarit Avdiju, i cili nuk ishte i pranishëm në seancën  e së enjtes në Apel, thuhet se i njëjti është i gjendjes së vështirë ekonomike.

Për këtë arsye, sipas ankesës, i akuzuari merr edhe ndihma sociale dhe shkuarja e tij në vuajtje të dënimit prej një viti në burg, do ta dëmtonte edhe familjen e tij, andaj, Avdiju i ka propozuar Apelit  që t’ia zbut dënimin.

Për dallim nga i mbrojturi i tij, i cili aktgjykimin e shkallës së parë e ka atakuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim, mbrojtësi i tij, avokati Nasuf Nasufi, ankesën në Apel e ka ushtruar edhe për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale dhe ligjit penal.

Sipas ankesës së avokatit, shkalla e parë nuk ka vërtetuar drejtë as gjendjen faktike duke shtuar  se, dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna gjatë gjykimit të rastit në Gjykatën e Gjilanit, kanë qenë kontroverse.

Tutje, në ankesën e avokatit thuhet se shkalla e parë gabimisht ka ardhur në përfundim se vepra penale është kryer vetëm nga një i akuzuar, ndërsa, pranimi i fajësisë nga ana e të mbrojturit të tij, në fazat e mëhershme në polici dhe prokurori, sipas avokatit nuk është dashur të merret si provë meqë i akuzuari gjatë shqyrtimit gjyqësori e kishte mohuar fajësinë.

“Mbetem në tërësi pranë ankesës. Kërkoj që e njëjta ose te ndryshohet duke pas parasysh rrethanat lehtësuese ose ndaj të mbrojturit tim të shqiptohet një dënim me i butë ose rasti të kthehet në rigjykim”, tha avokati Nasufi në fjalën e tij para kolegjit të Apelit.

Kurse, Prokuroria e Apelit, përmes një parashtrese dërguar gjykatës së shkallës së dytë, i ka propozuar kësaj të fundit që të refuzon ankesat e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, ndërsa, aktgjykimin e shkallës së parë ta vërteton.

Arsim Avdiju akuzohej se më 19 korrik 2008, afër varrezave në Gjilan, me qëllim të përfitimit pasuror dhe duke përdorur kanosjen, derisa e dëmtuara Sanije Beqiri po kthehej në shtëpinë e saj, i akuzuari e sulmon duke ja kapur çantën, dhe pasi që dëmtuara reziston, i akuzuari e godet me grushte dhe ja shkëput nga qafa të dëmtuarës një aksesor me vlerë 250 euro.