I akuzuari pa shkresa të lëndës, shtyhet seanca ndaj inspektorit të ndërtimit në Prizren

FB_IMG_1548854814293 (3)
Author

Raporton: Shkelzen SELMANAJ

Prill 15, 2019

Prizren – Ka dështuar të mbahet seanca fillestare, e paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, pasi që i akuzuari për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Bashkim Krasniqi, ka thënë se nuk e ka pranuar aktakuzën si dhe provat nga shkresat e lëndës.

Një konstatim të tillë, e ka bërë gjykatësja e kësaj çështje penale, Ajser Skenderi, e cila ka thënë se i akuzuari Krasniqi, nuk i ka pranuar shkresat e lëndës, pasi sipas saj, i njëjti ka qenë jashtë shtetit përreth një muaj, dhe ai në Kosovë është kthyer më 12 prill të këtij viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e radhës për këtë rast, sipas gjykatëses Skenderi, është caktuar më 25 prill 2019, prej orës 10:00.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 25 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Bashkim Krasniqi, të cilin e ngarkon se në cilësinë e personit zyrtar, inspektor i ndërtimtarisë në Komunën e Prizrenit, nuk i përmbush detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për vete apo personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

Në aktakuzë thuhet se përkundër njoftimit të fundit të lëshuar më 20 tetor 2014, nga Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, adresuar investitorit Xhavit Bytyçi, pronar i kompleksit hotelier – shtëpizave nga konstruksioni i drurit “Crazy Love” në Prizren, i bazuar në konkluzionin mbi lejimin e ekzekutimit të dhunshëm të lëshuar më 2 maj 2014, nuk e ka bërë ekzekutimin më 24 tetor 2014 edhe pse i njëjti ka qenë i detyruar.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi