I AKUZUARI NUK PRANON FAJËSINË PËR DËMTIM TË INSTALIMEVE PUBLIKE

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj filloi shqyrtimi gjyqësor ndaj të pandehurit Gazmend Krasniqi, i akuzuar për veprën penale “heqja, asgjësimi apo dëmtimi i instalimeve publike”. Në këtë shqyrtim gjyqësor, prokurori Veton Shabani lexoi aktakuzën. I pandehuri Krasniqi deklaroi se nuk është fajtor dhe nuk e pranoi fajësinë për veprën penale që i ngarkohet. Ndërkaq pasi që i akuzuari nuk e pranoi fajësinë gjykatësja individuale e çështjes Hakile Ilazi, udhëzoi palët që brenda afatit të paraparë ligjor prej tridhjetë ditësh t’i paraqesin kundërshtimet si dhe propozimet e tyre lidhur me çështjen.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj ngarkon të pandehurin Gazmend Krasniqi me veprën penale “heqja, asgjësimi apo dëmtimi i instalimeve publike” nga neni 366 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse me datë 4 prill 2014 rreth orës 14:00 në fshatin Pleshinë, në Ferizaj, në cilësinë e menaxherit në kompaninë “Rahovica Company”, gjersa ishte duke punuar në rrjetin e kanalizimit përreth rrugës me bager nga pakujdesia ka dëmtuar – këputur një kabllo të telefonit, pronë e kompanisë telefonike “PTK” në Ferizaj e cila ishte nën sipërfaqe tokësore, me ç’rast ka shkaktuar ç’rregullim në furnizimin e qytetarëve në telekomunikim.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë