I akuzuari nuk ndodhet në Kosovë, dështon të mbahet gjykimi

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj- Mungesa e të akuzuarit Meriton Murseli ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Për këtë rast, Dardan Shabani akuzohet për vrasje, kurse Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti ngarkohen për pjesëmarrje në rrahje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Meriton Murseli, avokati Fitim Shabani ka thënë se nuk është në dijeni pse ka munguar klienti i tij. Ka treguar se sot ka biseduar me familjarët e të akuzuarit, të cilët e kishin njoftuar se i njëjti ka dalë jashtë Kosove, ndërsa arsyet nuk i kishin treguar.

Avokati Fitim Shabani tha se në afat prej 10 ditëve do ta njoftojë Gjykatën në lidhje me mungesën e të akuzuarit Meriton Murseli dhe arsyet se pse i njëjti ka dalë jashtë vendit.

Kryetari i Trupit Gjykues, Sahit Krasniqi konsideroi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e kësaj seance, ndërsa njoftoi se për të akuzuarin Meriton Murseli do të lëshohet urdhëresë për verifikim të adresës.

Seanca e radhës u caktua më 14 qërshor 2022 ora 9:30

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Dardan Shabani akuzohet se më 15 qershor 2018, rreth orës 22:10, në kafenenë “n’Konak” në Ferizaj, me dashje direkte dhe me qëllim të hakmarrjes kishte privuar nga jeta tani të ndjerin E.I, për shkak të një mosmarrëveshje të para një viti, ku tani i ndjeri e kishte goditur me thikë, me çka i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Shabani, së bashku me të akuzuarit Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti, kishin shkuar në kafene ku tani i ndjeri kishte punuar si sigurim fizik, me ç’rast kishte nxjerrë një thikë me të cilën në mënyrë tinëzare e kishte goditur në pjesën e gjoksit, duke depërtuar deri në zemër, kurse të pandehurit Murseli dhe Ahmeti, e kishin goditur me karrige dhe shishe të birrës, me ç’rast, tani i ndjeri ishte rrëzuar dhe i pandehuri Shabani e kishte goditur edhe tetë herë të tjera me thikë në pjesën e shpinës dhe një herë në pjesën e qafës, nga të cilat goditje i ndjeri pëson lëndime të rënda trupore dhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasojë e të cilave kishte ndërruar jetë.

Për këtë, i pandehuri Shabani akuzohet për kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafi 1.8 i Kodit Penal.

Po ashtu, më datë dhe vend të njëjtë, ai i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Elmedin Sherifi, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte ndërhyrë për t’i ndarë të pandehurin dhe të ndjerin, Shabani e kishte goditur me thikë në parakrahun e dorës së djathtë, i cili kishte tejshpuar parakrahun.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal.

Në datë dhe vend të njëjtë, të pandehurit Murseli dhe Ahmeti po akuzohen se edhe pse kishin qenë të paprovokuar, kishin marrë pjesë në rrahje ku kishte mbetur i vdekur i ndjeri E.I., në atë mënyrë që atë dhe pjesëmarrësit e tjerë që kishin tentuar t’i ndajnë, i kishin goditur me shishe të birrës.

Për këtë, secili veç e veç po akuzohet për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 190, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me datë dhe kohë të njëjtë, të pandehurit Musliu dhe Ahmeti po akuzohen se i kishin shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarve Ibrahim Emini dhe Elmedin Sherifi, të cilët kishin tentuar që t’i ndanin të pandehurit dhe tani të ndjerin, ku që të dy të akuzuarit i kishin goditur të dëmtuarit me karrige dhe shishe të qelqit, nga të cilat goditje të dy të dëmtuarit kishin pësuar lëndime të lehta trupore.

Për këtë, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë