I akuzuari nuk i përgjigjet ftesës së gjykatës, shtyhet për kohë të pacaktuar gjykimi për uzurpim të paligjshëm të pronës

Raporton: Doruntina MEHMETI

Mitrovicë- Të martën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, mungesa e N.M, i akuzuar se kishte uzurpuar paluajtshmërinë e personit tjetër, pamundësoi mbajtjen e shqyrtimit fillestar.

Gjyqtarja e rastit Dragica Jakovljeviq, konstatoi se i akuzuari është ftuar në mënyrë të rregullt por nuk i është përgjigjur ftesës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, e pranishme në seancë ishte prokurorja Danijela Batkoviq.

Në këto rrethana, shqyrtimi fillestar u shty për kohë të pacaktuar, ndërsa data e seancës së radhës do të caktohet me shkrim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 17 maj 2018 ka ngritur aktakuzë kundër N.M sepse më 27 maj 2016 në fshatin Tunel i Parë, komuna e Mitrovicës, gjatë kontrollës së pronës nga zyrtarët e AKP-së, i pandehuri nga banesa e lartcekur ka hequr vulën zyrtare të vendosur në dyert e banesës nga personat e autorizuar të AKP-së, ndërsa banesa është nën administrimin e AKP-së.

Me këtë ka kryer veprën penale “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave” nga neni 414 par.1 të KPRK-së.

Ndërsa në pikën e dytë të aktakuzës në të njëjtën ditë, orë dhe vend, si në piken 1 të dispozitivit, i pandehuri ka larguar vulën zyrtare të AKP-së në mënyrë të kundërligjshme dhe ka uzurpuar paluajtshmërinë e personit tjetër edhe pse më parë ka qenë i dëbuar nga e njëjta paluajtshmëri, me vendim të AKP-së.

Me këtë ka kryer veprën penale “Uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme” nga neni 332 par.1 të KPRK-së, e në bashkim real me pikën 1 të dispozitivit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë