I akuzuari nuk e pranon se ka plaçkitur kazinonë “Kajot” në  Fshatin Zhur

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – I akuzuari Leutrim Ademaj ka mohuar të ketë plaçkitur kazinonë “Kajot” në fshatin Zhur, gjatë marsit të vitit 2016.

Këto deklarata ai i ka bërë, të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren, gjatë shqyrtimit gjyqësor ndaj tij.

Prokurori i çështjes, Genc Nixha, ka lexuar aktakuzën, me të cilën e ngarkon te pandehurin  me veprën penale të grabitjes.

Nixha, ka thënë se pas administrimit të provave materiale dhe dëgjimit të dëshmitarëve do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale të grabitjes.

Ndërsa mbrojtësi i Leutrimit, avokati Hajrip Krasniqi, është ankuar se ende nuk i ka pranuar provat materiale në të cilat mbështetet aktakuza dhe se aktakuza është e paqëndrueshme.

Në këtë seancë ka dëshmuar i dëmtuari, Agron Badalli, i cili kishte qenë në momentin kritik, si arkëtar në kazino, ai ndër të tjera ka thënë se nuk e kishte parë se kush e ka plaçkitur sepse personi me armë kishte pasur kapelë dimri në kokë.

Badalli, ka shtuar se vetëm pasi kishte parë video-incizimin nga kazino, në bazë të madhësisë dhe mënyrës së lëvizjes, kishte kuptuar se grabitësi mund të ishte Leutrim Ademaj.

Sipas Badallit, grabitësi nuk kishte hyrë në kazino por nga dera e hyrjes, kishte gjuajtur me armë dhe ia kishte hedhur një qante për ta mbushur me para, të njëjtën qante e ka marrë dhe është larguar.

Poashtu ka dëshmuar edhe Lumbardh Rizanaj, i cili ka deklaruar se në natën kritike, përderisa ai ishte duke luajtur letra tek një lokal, kishte ardhur Leutrimi dhe i ka thënë që të shkonte në kazino për të parë se kush ishte aty.

Pasi Rizanaj e kishte lajmëruar se kush është në kazino, i akuzuari i kishte thënë se po shkon për ta plaçkitur kazinonë dhe i kishte treguar një revole të vogël.

Ndërsa dëshmitari Rrahim Hoxhaj, ka thënë se i pandehuri ka qenë së bashku me të në lokal, prej orës 22 deri në ora 1 pas mesnatës.

Për këtë seancë ka qenë i ftuar edhe dëshmitari Shaban Hoxhaj, por i njëjti nuk është paraqitur në gjykatë, andaj kryetari i trupit gjykues, ka ndërprerë shqyrtimin dhe seancën e radhës e ka caktuar për 26 shtator 2016, ora 13:00.

Me 14 qershor 2016, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Leutrim Ademaj, me të cilën e akuzon atë, se ka plaçkitur kazinonë “Kajot” në fshatin Zhur.

I akuzuari gjendet në paraburgim që nga 23 marsi 2016.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë