I AKUZUARI NUK E PRANON FAJËSINË PËR VJEDHJE TË ENERGJISË ELEKTRIKE

Raporton : Verona KADRIU

Ferizaj – I pandehuri Misim Mustafa i cili akuzohet për veprën penale  “vjedhje e shërbimeve komunale”, në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj nuk e pranoi fajësinë.

Gjykatësi individual Mustaf Tahiri udhëzoi të njëjtin që brenda afatit ligjor prej 30 ditësh të paraqes propozimet dhe kundërshtimet e tij lidhur me aktakuzën e ngritur kundër tij.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ngarkon të pandehurin Misim Mustafa me veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, sepse si pronar i lokalit “Elida”, në Feriza, gjatë kontrollimit të njëhësorit elektrik nga punëtorët e KEDS, është konstatuar se është furnizuar me energji elektrike në mënyrë ilegale. Veprën penale i akuzuari pretendohet t’a ketë kryer në atë mënyrë që përmes një kabllo ka anashkaluar pikën matëse ku energjia e shpenzuar nuk është regjistruar fare. Me ketë rast ka dëmtuar KEDS-in Distrikti në Ferizaj në shumë prej 1,427,36 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë