I akuzuari nuk e pranon fajësinë për veprën penale të “vetëgjyqësisë”

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – I pandehuri Ejup Beqa i akuzuar për veprën penale “vetëgjyqësia”, të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, deklaroi se është i pafajshëm dhe nuk pranoi fajësinë për veprën penale e cila i rëndohet me akuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Në seancën e së hënës, të mbajtur kundër të pandehurit Ejup Beqa i akuzuar për shkak të veprës penale “vetëgjyqësia”, pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të shtetit Visar Musa, i akuzuri Beqa deklaroi se nuk është fajtor dhe nuk e pranoi fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet. Ai shtoi se të gjitha veprimet që i ka ndërmarrë kanë qenë brenda pronës së tij dhe nuk i ka shkaktuar dëm askujt, duke mohuar në këtë mënyrë faktin se të dëmtuarve Muhamet Zeqiri dhe Taib Zeqa u ka bllokuar lëvizjen e lirë në rrugë, e cila rrugë është në kontest pronësor mes të pandehurit dhe familjes Zeqiri. Ndërkaq pasi që i akuzuari nuk pranoi fajësinë, dhe me kërkesën e mbrojtësit të tij me autorizim, avokatit Sabri Kryeziu, gjyqtari individual i çështjes Mustaf Tahiri caktoi një afat më të shkurtë ligjor prej tetë ditësh për paraqitjen e kundërshtimeve rreth aktakuzës dhe propozimet lidhur me provat.

Me këtë përfundoi shqyrtimi gjyqësor, ndërsa seanca e radhës u konstatua se do të mbahet pasi që pala e akuzuar të paraqesin kundërshtimet e tyre brenda afatit të caktuar.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i pandehuri Ejup Beqa akuzohet për veprën penale “vetëgjyqësia”, sepse më 12 maj 2014 në Shtime, në mënyrë arbitrare duke u kanosur, ka ushtruar të drejtat të cilat mendon se i takojnë në vend që t’i drejtohet organit kompetent, në atë mënyrë që me përdorimin e kanosjes i pandehuri ka shkarkuar një kamion me gurë dhe me mbetje të ndryshme në dy vende në rrugë duke bllokuar në tërësi lëvizjen e lirë të banorëve të kësaj rruge dhe duke dëmtuar asfalltin ku kjo rrugë e bllokuar nga i pandehuri është kontest pronësor në mes tij dhe familjeve Zeqiri.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë