I AKUZUARI NUK E PRANON FAJËSINË PËR KEQPËRDORIM TË POZITËS ZYRTARE, DEKLARON SE ËSHTË VETËM VIKTIMË

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është paraqitur Hamdi Tërbeza, i akuzuar për “keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtarë”, të cilën vepër i njëjti mohoi ta ketë kryer e po ashtu deklaroi se është vetëm viktimë, pasi asnjëherë nuk ka dërguar mesazhe kërcënuese, por telefonin e tij sipas të njëjtit mund ta ketë përdorë vëllai i tij, Artan Tërbeza, i cili edhe është i propozuar si dëshmitarë nga ana e prokurorisë.

Në këtë seancë fillestare, i akuzuari Tërbeza hoqi dorë nga mundësia e kundërshtimit të aktakuzës, dhe i njëjti kërkoi që të kalojnë në fazën e shqyrtimit gjyqësor dhe që të përballet në gjykatë me personat e propozuar për dëshmitarë në mënyrë që të zbardhet e gjithë e vërteta.

Sipas aktakuzës së 25 prillit 2016, e ngritur nga prokurori Feti Tunuzliu, ndaj të pandehurit Hamdi Tërbeza ekziston dyshimi i bazuar mirë për kryerjen e veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtare, pasi si person zyrtar, në cilësinë e të punësuarit në Stafin civil të Drejtorisë së Legjislacionit  të Logjistikës të Policisë së Republikës së Kosovës, me qëllim që vëllai i tij Artan Tërbeza ta jap provimin për patent-shofer e atë për kategorinë “B” pa iu nënshtruar fare provimit nga pjesa teorike e as nga ajo praktike, më 20 janar të vitit 2013 përmes telefonit mobil i kishte dërguar sms kërcënues të dëmtuarit Kasim Hoxha, instruktor në auto-shkollën “Anita” në Prishtinë. Përmes kërcënimit e kishte obliguar që ta kryej testin me shkrim në emër të të vëllait të tij, Artan Tërbezës.
Sipas të njëjtës aktakuzë i dëmtuari Hoxha pasi nuk kishte pranuar një gjë të tillë, kishte tentuar vazhdimisht t’i rezistojë fizikisht e të mos shkojë me Hamdi Tërbezën, pasi ky i fundit ishte munduar që me forcë ta detyroj të shkojë me të, ku i njëjti edhe e kishte kërcënuar se do të shkojë ta marrë komandantin e të kthehet me të, duke i thënë se ky i fundit ia kishte përgatitur vendin që ta lidhë e ta detyrojë.

Seanca e ardhshme u caktua për 20 shtator 2016, duke filluar në orën 09:30.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë