I akuzuari në vuajtje të dënimit në Burgun e Dubravës për vepër tjetër penale, dështon gjykimi për mashtrim
Raporton: Donjeta AJVAZI
Prishtinë – Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuari A.F se mashtroi postierin privat të “ Korrier Express” duke mos paguar shumë prej 149 euro e 52 centë pas pranimit të dërgesës së pakos nga i njëjti.
Shkak për shtyrjen e shqyrtimit të sotëm ishte mungesa e të akuzuarit F.
Lidhur me mungesën e tij, gjykatësi i rastit Eroll Gashi konstatoi se për të njëjtin, bashkëshortja e tij ka njoftuar gjykatën se burri i saj është në vuajtje të dënimit në Burgun Dubravë që katër muaj.
I pranishëm në seancën e sotme ishte prokurori Menduhi Kastrati si dhe pala e dëmtuar N.S.
Pasi që nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e këtij shqyrtimi, i njëjti u shty për datën 5 korrik të këtij viti.
Gjykatësi i rastit konstatoi se për palët prezente procesverbali do shërbejë si ftesë e rregullt, ndërsa për të akuzuarin gjykata do i lëshojë urdhëresë njësisë së transportit që i njëjti të sillet në seancën e radhës nga Burgu i Dubravës.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në shtator të vitit 2017, i pandehuri A.F me datë 24 nëntor 2016 në Prishtinë, më saktësisht në rrugën “B” me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme e ka sjellë në lajthim të dëmtuarin N.K, postierin privat të “ Korrier Express” duke mos paguar shumën prej 149 euro e 52 centë pas pranimit të dërgesës së pakos nga i njëjti.
Ashtu që të njëjtit i ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.
Me këtë po akuzohet se ka kryer veprën penale ”Mashtrimi” nga neni 335 par.1 të KPRK-së, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë