I akuzuari në rastin “Çekiqi” pas 10 vitesh në paraburgim deklarohet hollësisht për vrasjen e vitit 2009, në Lipjan

unnamed
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Korrik 9, 2019

Prishtinë – Në rigjykimin e rastit të njohur “Çekiqi”, në të cilin Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu po akuzohen për vrasjen e Naim Hajrizit, në prill të vitit 2009, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dhënë mbrojtjen e tij edhe i akuzuari Osman Spahiu.

Ai në këtë seancë ka deklaruar se i akuzuari Gëzim Retkoceri, me të cilin kanë lidhje familjare, i kishte thënë atij që të mendonte se çfarë do të deklaronte në gjykatë, ndryshe nuk do t’i duhej liria, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pyetur nga prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu se përse kishte pritur kaq gjatë për të dhënë një deklarim të tillë dhe pse që nga fillimi nuk kishte deklaruar kështu, ai ka thënë se gjatë këtij rasti asnjëri nga gjyqtarët që e kishin gjykuar këtë rast, nuk kishin qenë të gatshëm për ta përfunduar lëndën.

“Gjatë shqyrtimit të këtij rasti asnjë nga gjyqtarët nuk ka qenë i gatshëm me përfundu landen, ka pasur ndërrime të gjyqtarëve, pastaj për shkak të telefonatës që e kam ba me vëllaun e të ndjerit, knej shumë do sene çka janë ba gjatë ditës në garazh unë i nijsha në gjykatë, ka pas thanë Gëzimi meno se çka po fol se nuk t’vyn liria, unë u dënova 30 vjet, pse mos me fol”, ka thënë ai.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli nëse afër 11 vite sa kishte qëndruar nën masën e paraburgimit, a i kishte konsideruar ai si të vogla për të mos deklaruar si në seancën e së martës, ai ka thënë se nuk është asnjëherë vonë.

“E shkrume u kanë qitash, nuk është vonë kurrë, çka e kam përjetuar unë që 10 vite këtë burg nuk mund ta kthejë mbrapa”, ka deklaruar Spahiu.

Gjatë deklarimit të Spahiut, ka pasur disa herë reagime nga i akuzuari Retkoceri, të cilat kanë ndikuar edhe në ndërprerjen e seancës për disa minuta.

“S’ka problem krejt le t’fol veç mos t’keshë. Ja gjykatës s’ka qetësi këtu, këqyre mirë sa është ora, çfarë dush vendimi nuk je burrë nëse s’merr burgim të përjetshëm, nuk je gjykatës dhe prokuror që s’merrni vendim me burgim të përjetshëm, tu kisha lut kurrë ma mos me vet kurgjo për kit punë”, ka thënë ai.

Spahiu në këtë seancë ka deklaruar se me 29 prill 2009, kishte qenë i punësuar në autoservisin “Cali“, në fshatin Llugagji të Lipjanit, pronë e të akuzuarit Retkoceri, në të cilin kishte punuar nga fundi i muajit shkurt 2009, e deri 30 prill 2009.

Tani të ndjerin Naim Hajrizi, ka thënë se e kishte parë në këtë autoservis tre herë, i cili kishte ardhur për të rregulluar veturën e tij, dhe tha se kishte pasur raste kur ai kishte shkuar për ta kërkuar të akuzuarin Retkoceri.

Ai tha se për shkak të ndaljes së energjisë elektrike nuk kishin mundur të përfundonin një veturë për ta bërë të gatshme për ta dërguar në tregun e veturave në Prizren, dhe për këtë arsye tha se kishte qëndruar atë natë tek shtëpia e të akuzuarit Retkoceri, që në momentin kur të vijë rryma, të dalin në auteservis dhe të punojnë.

Por, tha se atë natë nuk kishin shkuar më në autoservis dhe kishte qëndruar te Retkoceri, ndërsa të nesërmen, më 29 prill 2009, t kishte hapur autoservisin në ora 08:00, ndërsa Retkoceri tha se i kishte thënë se kishte për të shkuar në Prizren.

Më pas, tha se i akuzuari Retkoceri, kishte ardhur në ora 14:00, kishte shkuar në shtëpinë e tij për të ngrënë bukë, dhe pas 30 minutash, i kishte thënë se duhet të shkonte në Ferizaj për ta rregulluar një veturë.

“Të njëjtën ditë rreth orës 17:00 ka ardhur i ndjeri Naim Hajrizi, vet i dyti dhe ka pyetur se ku është Gëzimi, unë i tregova se ka shkuar në Ferizaj me ba një kerr regllazh dhe ka shkuar”, tha i akuzuari Spahiu.

Sipas tij, kur kishte tentuar të mbyllë autoservisin, kishte ardhur i akuzuari Retkoceri, me të njëjtin person që kishte qenë më parë i ndjeri Hajrizi dhe i kishte thënë të mos e mbyllë lokalin për shkak se kishte për të ardhur babai i tij nga Gjermania, Nazmi Retkoceri, dhe se kinse babai i të akuzuarit Spahiu, i kishte dërguar 1.000 euro atij.

“Kur ka ardhur Gëzimi me BMW në lokal, më ka thënë që veturat “Golf 4”, “Golf 2”, ngjyrë hiri dhe një veturë “Peugeot”, t’i fusë në garazh për shkak se kanë qenë jashtë garazhës. Ndërkohë tha shko merre naj pije dhe një shishe benzinë, shkova te pompa e benzinës, por nuk e pyeta asgjë Gëzimin se për çka i duhej benzini për shkak se sa herë e kam pytë më ka thënë mos u mundo shumë me ditë se s’dinë kurgjo”, tha Spahiu.

Ai tha se e kishte marrë benzinën dhe dy “Red Bulla”, dhe kur ishte kthyer në garazh tha se Retkoceri ia kishte dhënë njërin “Red Bull” atij dhe kishte dalë më “Golfin”, ngjyrë hiri dhe ishte nisur në drejtim të Prishtinës.

Më pas, kur ai ishte kthyer në autoservis, kur kishte shkuar ta marrë veturën BMW, të cilën e kishte lënë i akuzuari Retkoceri për ta vendosur në garazh, kishte vërejtur vaj të motorit “ulje” në tokë.

“Edhe jam kthyer në lokal e kam shti “Golf 4”, ku ngjyrosim vetura dhe kam filluar me marrë BMW-në me qit jashtë. Kur shkova me marrë BMW-në kam parë ulje në tokë, ka pas një pjesë të vogël që kam punuar gjatë ditës, por e pashë një sasi më të madhe, dhe vet me veti thashë e more Gëzim kurrë njeri s’ki mu bo”, ka deklaruar i akuzuari Spahiu.

Pastaj, ai tha se e kishte parë një “cevë”, rreth 70-80 cm, e cila sipas tij, kishte qenë e vendosur në tavolinën e punës, por e cila më herët gjatë kohës kur ai kishte qenë duke punuar, kishte qenë e vendosur tek “cevat” e tjera.

Ai tha pas 15-20 minutash kishte ardhur i akuzuari Retkoceri, i cili ishte futur në garazh dhe e kishte lënë veturën “Golf”, dhe i kishte thënë se kishte pasur punë.

“E pyeta se ku ke çka u vonove kaq shumë, më tha pata punë deri qatje dhe aga veç sa s’ka ardhë se rrugës është, e ka qel kepekin e mramë të Golfit, edhe në një tavolinë tek dera e parë e garazhës, në të cilën tavolinë rrijnë pjesë të kutijave spreja të ngjyrave, e ka marrë një sprej të zi dhe ia ka fut kepekut dhe e ka mshelë”, tha ai.

Më pas tha se ka ardhur babai i të akuzuarit Retkoceri, Nazmi Retkoceri, por i kishte thënë se nuk kishte arritur të takohej me babanë e tij, për t’ia dhënë paratë, pastaj ka deklaruar se kishte shkuar në shtëpi me autobus.

Të nesërmen, mw 30 prill 2009, tha se kishte ardhur vëllai i tani të ndjerit Hajrizi, Halim Hajrizi, i cili i kishte treguar se ai kishte qenë mbrëmë me të akuzuarin Retkoceri, por se nuk ishte kthyer në shtëpi.

Ai tha se i kishte thënë atij se i akuzuari Retkoceri nuk kishte ardhur akoma në autoservis.

Më vonë tha se kishte ardhur i akuzuari Retkoceri, e kishte marrë veturën “Golf” dhe ishte nisur në Ferizaj për të rregulluar diçka, dhe tha se nuk kishte arritur t’i tregojë se kishte qenë Halim Hajrizi për ta kërkuar.

“Nuk më kujtohet se kur Halimi ka qenë për herë të dytë te garazha, por kur ka ardhë e ka dëgjuar kur i ka thënë ti ma ke marrë vllavin ti ki me ma pjellë dhe Gëzimi në atë moment e kam ni që i ka thanë se shkon ai mas kur*** unë nuk muj e ruj, është përmend policia, por nuk e di më tepër”, ka thënë Spahiu.

Pastaj ai tha se më vonë i akuzuari Retkoceri kishte dalë prapë nga autoservisi dhe kur ishte kthyer i kishte kërkuar që të shkojë në zyrën e servisit.

“Unë shkova dhe më tha a ma kryn ni punë, me ma thirr njanin në telefon dhe mi thanë se vllain e ke në Shkup mos e lajmëro policinë. Unë i thashë kujna mi thanë pse s’po i thu vet, tha o ma njeh zanin nuk bën, unë i thashë dajë këto s’po ta kryj dhe kam dalë prej zyrës për me punu”, ka thënë ai.

Pastaj tha se kur i akuzuari Retkoceri ishte kthyer në orën 16:45, prapë i kishte kërkuar që ta thërrasë vëllain e të ndjerit Naim Hajrizi, Halim Hajrizin që ta lajmërojë se vëllain e ka në Shkup dhe të mos e lajmërojë policinë.

“Unë i thashë mos më shti në këto sende, por tha se vijnë policia këtu më gjejnë naj kerr fallc a diçka e nuk bënë, i thashë po po e thërras, ama numrin, por ma tha së këtu nuk bënë, më tha shko në shpi e thirre prej Ferizajit, ma ka dhënë kartën, telefonin e vet, edhe jam nisë në 17:00 e diçka për në Ferizaj”, ka deklaruar Spahiu.

Kur kishte shkuar në qytet tha se e kishte thirrur Halim Hajrizin dhe i kishte thënë se Naim Hajrizi gjendet në Shkup.

Pastaj në orën 01:10 të mesnatës tha se kishin ardhur disa policë tek shtëpia e tij dhe e kishin pyetur se ku punonte dhe se a e njihte të ndjerin Hajrizi, dhe i kishin kërkuar që të shkojë në stacion policor.

Por, tha se njëri nga policët i kishte thënë që të vijë nesër për të dhënë deklaratë në polici, ku të nesërmen më 1 maj 2009, tha se kishte shkuar te pompa e benzinës “Standard Benz”, dhe se aty kishin filluar ta marrin në pyetje policia, e pastaj tha se ishin nisur në drejtim të Lipjanit me hetuesit policor.

Ai tha se ishte marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, e pastaj tha se ishin nisur në drejtim të Prishtinës dhe në stacionin numër 2, ia kishin prezantuar disa rroba dhe një qebe, ku për këtë të fundit tha se i kishte thënë se kishte qenë e garazhit ku ai kishte punuar.

Sipas tij, vëllai i Retkocerit, Bashkim Retkoceri dhe axha i tij, Fahri Retkoceri e kishin pyetur se çka ishte bërë me të akuzuarin Retkoceri, dhe pasi i kishte treguar se çfarë kishte deklaruar, Bashkim Retkoceri i kishte thënë atij se pse nuk i kishte thënë se qebja kishte qenë e ngjashme me atë të garazhit.

Deri më 12 ose 13 maj 2009, tha se nuk ishte takuar më asnjërin nga familjarët e Gëzim Retkocerit, ku të njëjtën ditë tha se ishte intervistuar edhe një herë në lidhje me telefonin, ku zyrtarët policorë e kishin pyetur se përse nuk po e pranon se telefoni kishte qenë i tij.

“Më vonë kam dhënë intervistë, e kam nënshkruar procesverbalin, avokat nuk kam pasur por më vonë  ma kanë ofruar një avokat. Dhe nga aty më kanë dërguar në mbajtje 48 orë dhe të nesërmen në mengjës në gjykatë, pastaj më kanë dërguar në qendrën e paraburgimit në Gjilan”, ka thënë Spahiu.

Seanca e radhës do të mbahet më 26 korrik 2019, në ora 09:00, ku pritet që mbrojtësja e të akuzuarit Retkoceri, avokatja Kosovare Kelmendi t’i parashtrojë pyetje të akuzuarit Spahiu.

Ndryshe, ky rast është kthyer në rigjykim më 4 maj 2016, nga Gjykata e Apelit, e cila ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 7 korrik 2015, dy të akuzuarit për vrasjen e Naim Hajrizit, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu i kishte dënuar me nga 30 vjet burgim.

Me rastin e kthimit në rigjykim, Gjykata e Apelit, kishte konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shkelur dispozitat e procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzon Retkocerin dhe Spahiun, se më 29 prill të vitit 2009, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, e kishin rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizin, me qëllim që ta privojnë nga jeta.

Sipas aktakuzë, tani të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart.

Prokuroria pretendon se dy të akuzuarit pasi e kishin vrarë tani të ndjerin, e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij. /BetimipërDrejtësi