I akuzuari në pushim, shtyhet gjykimi ndaj zyrtarëve të doganave për korrupsion

Raporton: DIANA BERISHA

Gjilan – Në mungesë të të pandehurit Baki Alimi i akuzuar për tregti të ndaluar, nuk është mbajtur seanca në Gjykatën Themelore në Gjilan. Mbrojtësi i tij, avokati Mustafë Musa bëri të ditur se ka pranuar një shkresë me të cilën është informuar se gjendet në pushim dhe nuk mund të prezantojë në këtë seancë. Në këtë rast përveç Halimit të akuzuar janë edhe Radica Saviq dhe Ismet Shabani për shpërdorim të pozitës zyrtare.

Kryetari i trupit gjykues Agim Ademi caktoi seancën e radhës me 5 tetor 2016 në ora 13.

Sipas aktakuzës, Radica Saviq akuzohet se gjatë muajit mars 2011, në kohë të pacaktuar  në pikën doganore “Dheu i Bardhë” e ka keqpërdorur pozitën zyrtare, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka vërtetuar dokumentacione Unik Doganor DUD-at, ku nuk janë përputhur të dhënat bruto sasiore në vendimet fito-sanitare, ashtu që në dokumentin Unik  Doganor DUD ka qenë e shënuar pesha totale  prej 5860 kilogram për pesticide “Foxin”, ndërsa në vendimin fito-sanitar pesha është shtuar 18000 kilogram dhe me këtë i është mundësuar një fitim i kundërligjshëm pasuror në shumën prej 9551 euro të akuzuarit Baki Alimi.

Tutje i akuzuari Ismet Shabani në pikën doganore “Dheu i Bardhë”  ka shpërdorur pozitën zyrtare, duke lëshuar vendime fito-sanitare për artikullin pesticide, pa definuar llojin e pesticideve, duke i mundësuar të akuzuarit Baki Alimi që në emër të këtyre vendimeve t’i vë në lajthim organet doganore, duke importuar pesticide të llojit Galation dhe Foxin.

Baki Alimi akuzohet se në ndërmarrjen e tij NTP Redimenti pa autorizim ka shitur dhe ka blerë mall, qarkullimi i të cilave është i ndaluar, ashtu që në mënyrë të kundërligjshme ka futur në qarkullim pesticide të llojit “Glation dhe Foxin” në peshë prej 23860 kilogram, të cilat produkte janë të ndaluara për Kosovë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë