I akuzuari në Novi Sad, shtyhet gjykimi për vjedhjen e çantës nga një “Golf 2”

Raporton: Florentina OSMANI

Podujevë – Është shtyrë seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, pasi ka munguar i akuzuari për vjedhje, Shahin Sejdiu, për të cilin thuhet se gjendet në Serbi.

Sipas gjykatësit të çështjes Gazmend Bahtiri, edhe pse ndaj të akuzuarit ka qenë i lëshuar urdhër arrest, përsëri nuk është arritur prezenca e tij në gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nga informata e Stacionit Policor në Podujevë, thuhet se i njejti gjendet në Novi Sad”, deklaroi ai.

Gjykatësi Bahtiri tha se ndaj të akuzuarit do të lëshohet përsëri urdhër arrest. Kurse, seanca e së hënës u shty për 23 nëntor 2021, në ora 10:00.

Aktakuza për këtë rast është ngritur më 19 janar 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Shahin Sejdiu akuzohet se më 25 dhjetor 2020, në Podujevë, me qëllim të përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme, e që vetit t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, nga vetura “Golf 2” e të dëmtuarës Teuta Sylejmani vjedhë çantën.

Aty thuhet se brenda në çantë e dëmtuara kishte 20 euro dhe gjësende të tjera, me ç’rast të njëjtës i kishte shkaktuar dëm material rreth 100 euro.

Me këto veprime thuhet se i akuzuari ka kryer veprën penale “Vjedhja” nga neni 313, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tre (3) vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë