I akuzuari mungon për shkaqe shëndetësore, shtyhet shqyrtimi gjyqësor për aksidentin e 2018-ës

Raporton: Flutura Rraqi

Suharekë- I akuzuari Bislim Krasniqi mungoi për shkaqe shëndetësore në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, duke bërë që të dështojë shqyrtimi gjyqësor ndaj tij dhe personit juridik “N.T.P.N Krasniqi”, lidhur me aksidentin e 2018-ës në Shirokë.

I akuzuari Krasniqi, përmes mbrojtësit të personit juridik “N.T.P.N Krasniqi”, avokatit Qëndrim Krasniqi është arsyetuar se nuk është mirë me shëndet dhe e ka të pamundur të jetë prezent në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjyqtari Lavdim Bajraktari, në prani të prokurorit Besim Susuri dhe ekspertit të komunikacionit Sami Fusha, ka shtyrë seancën e sotme për 11 nëntor 2021.

Sipas aktakuzës, personi juridik “N.T.P.N Krasniqi’’ më 24 gusht 2018, në fshatin Shirokë të Komunës së Suharekës gjatë kryerjes së punimeve nuk kishte vendosur shenjat informuese, me qëllim që të sigurohen pjesëmarrësit në trafik, andaj si pasojë e mosndërmarrjes së këtyre veprimeve ka ardhur deri te aksidenti mes veturës Golf 4 dhe asaj Mercedes.

Me këto veprime, akuzohet se ka kryer veprën penale ‘’rrezikim i trafikut publik me veprim apo mjete të rrezikshme” nga neni 380 paragrafi 1 i Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim deri në tre vjet.

Ndërsa, sipas pikës së dytë të aktakuzës i akuzuari Bislim Krasniqi, në ditën e cekur më lartë, si person përgjegjës nuk kishte vendosur shenjat informuese me qëllim që të sigurohen pjesëmarrësit e tjerë në trafik konform Ligjit mbi Rregullat e Trafikut Publik, në këtë rast ka ardhur deri te aksidenti mes veturës Golf 4 të cilën e drejtonte Brahim Thaqi dhe asaj Mercedes, të cilën e drejtonte Hafir Elshani.

Si shkak i këtij veprimi, lëndime kanë pësuar shoferët Brahim Thaqi dhe Hafir Elshani si dhe pasagjerët Emine dhe Art Elshani

Me këto veprime ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme” nga neni 380 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim deri në tri vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë