I akuzuari mungon për shkaqe shëndetësore, shtyhet gjykimi për legalizim të përmbajtjes së rreme

Raporti: Blerta BARKU

Prishtinë- Për shkak se i akuzuari Xhevdet Sheqiri, mungoi për shkaqe shëndetësore, është shtyrë seanca fillestare e paraparë për të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Sheqiri po akuzohet se ka vënë në lajthim noteren publike për të vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Për mungesën e të akuzuarit Sheqiri, avokati Hasani Jashari ka njoftuar gjykatën se është i sëmurë, si dhe se i njëjti dokumentet mjekësore i ka dorëzuar në shkrimore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, gjyqtarja Vlora Pacolli-Rexhpi konstatoi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, të cilën të radhës e ka caktuar më 28 shkurt 2022.

Ndryshe,  e pranishme në seancë ishte prokurorja Fikrije Sylejmani.

Në këtë rast, akuzohen edhe Ahmet Sheqiri dhe Beqir Sheqiri ndaj të cilëve me datë 18 nëntor 2021, gjykata e kishte veçuar procedurën.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shtator 2015, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Xhevdet, Ahmet dhe Beqir Sheqiri po akuzohen se më 22 nëntor 2012, në bashkëkryerje kanë vënë në lajthim personin e autorizuar noteren publike në Fushë Kosovë, Arjeta Ukaj Derivshaj për të vërtetuar një çështje të pa vërtet e paraparë të shërbej si provë për regjistrimin e pronës së paluajtshme në emër të tyre.

Aktakuza thotë se, të pandehurit më 3 mars 2013, i prezantojnë dokumentin aktvendimin mbi trashëgiminë pranë personit të autorizuar në Shërbimin Kadastral të Komunës së Fushë Kosovës ku të pandehurit Ahmet Sheqiri i takojnë 3 parcela, Xhevdet Sheqirit 4 parcela dhe Beqir Sheqirit 4 parcela po ashtu një parcelë tjetër si pronë e përbashkët.

Tutje, në aktakuzë thuhet se me këtë të pandehurit përjashtojnë nga trashëgimia trashëgimtarët ligjor Ymer, Muhamet, Mustafë dhe Gjyla Sheqiri, me ç‘rast këtyre të fundit ju shkaktojnë dëm material.

E me këtë, të pandehurit Xhevdet, Ahmet dhe Beqir Sheqiri po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së rremë” nga neni 403 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë