I akuzuari mungon për shkaqe shëndetësore, dështon të nis gjykimi për shmangie nga tatimi në vlerë afro 420 mijë euro

Raporton: Ermira HOXHA

Prishtinë – Për shkak se i akuzuari Ruzhdi Humolli mungoi të martën për shkaqe shëndetësore, ka dështuar të nis gjykimi në rastin ku ai po akuzohet për shmangie nga tatimi në vlerë afro 420 mijë euro.

Humolli akuzohet se në periudhën kohore prej 2012-2018 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm nuk ka paguar detyrimet tatimore sipas ligjit, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 419 mijë e 865 euro e 04 centë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Humolli gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj deklaroi se nga fletëkthesa e kthyer në gjykatë është konstatuar se pala ka probleme shëndetësore.

E për këtë gjykatësi Sadikaj tha se gjykata ka pranuar edhe raportin mjekësore të të akuzuarit.

Me qenë se nuk u plotësuan kushtet për mbajtjen e seancës fillestare, e njëjta është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Ndërsa, të pranishëm në këtë seancë ishin prokurori Zef Prendrecaj dhe përfaqësuesi nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) Fitim Dragusha.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Ruzhdi Humollit të cilin e ngarkon me veprën penale “Shmangia nga tatimi”.

Sipas aktakuzës, në periudhën kohore nga muaji mars 2012 deri në muajin shkurt 2018 i pandehuri në cilësinë e përfaqësuesit të biznesit NTP “EURO COM” me seli në Prishtinë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër dhe me qëllim të shmangies nga tatimi i njëjti nuk ka paguar detyrimet tatimore sipas ligjit, me ç’rast ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 419 mijë e 865 euro e 04 centë.

Aktakuza thotë, se veprimtaria e biznesit të lartcekur përbën veprimtari primare, tregti me shumicë e tekstileve, aktivitetit e ndërmjetësimit për shitjen e mobileve, mallrave shtëpiake, pjesëve elektronike dhe hekurishteve.

Për këtë, Humolli po akuzohet se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi” nga neni 313 paragrafi 3 lidhur me p[paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK-së), vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë