I akuzuari mohon t’i ketë vjedhur tre aparatë digjital, një telefon fiks, një torbë dhe një çantë krahu

Elvis Drmaku foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Korrik 9, 2020

Gjakovë – I akuzuari për vjedhje, Elvis Drmaku, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Në fillim të seancës, gjykatësja Ilirjana Hoti tha se të akuzuarit Drmaku i është caktuar avokati Bardh Maksuti sipas detyrës zyrtare, për shkak se i akuzuari gjendet në burg për vuajtje të dënimit për vepra të tjera penale dhe për shkak të gjendjes së tij të rëndë ekonomike.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Armend Zenelaj, i akuzuari Drmaku deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

I dëmtuari Shkëlzen Hoxha tha se sendet e vjedhura i janë kthyer dhe se ato ishin për t’u gjuajtur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, i akuzuari Drmaku dhe avokati i tij mbrojtës hoqën dorë nga kundërshtimi i provave dhe kërkesa për hudhje të aktakuzës, duke propozuar kështu që të shkohet direkt në shqyrtim gjyqësor.

Gjykatësja Hoti e ka aprovuar propozimin që të shkohet direkt në shqyrtim gjyqësor dhe ka caktuar 24 korrikun për mbajtjen e seancës.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Elvis Drmaku po ngarkohet me veprën penale “Vjedhje” nga neni 313 parag.1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Drmaku, më 25 shkurt 2019, në kohë të pacaktuar, në rrugën “Mbretëresha Teuta” në Gjakovë, ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Shkëlzen Hoxha, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar çastin e përshtatshëm kur nuk e vëren askush, hyn në garazhin e shtëpisë së të dëmtuarit dhe nga aty merr tre aparatë digjital për fotografik, një telefon fiks, një torbë dhe një çantë krahu dhe largohet nga aty, ku disa nga këto sende janë gjetur nga Policia dhe i janë kthyer të dëmtuarit. /BetimipërDrejtësi