I akuzuari mohon të ketë vjedhur rrymën, thotë se lokalin e kishte të lëshuar me qira

Gjykata
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Korrik 10, 2019

Prishtinë – I akuzuari për vjedhje të rrymës, Bejtush Islami, nuk e ka pranuar fajësinë, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Pasi që është lexuar aktakuza nga prokurorja Hava Krasniqi, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm për dy vepra penale “vjedhja e shërbimeve komunale”, si dhe “ndryshimi i njehsorit të shërbimeve”.

Ai ka thënë se lokalin e tij, në kohën për të cilën akuzohet, e ka pas të lëshuar me qira.

“Na si familjes komplet, kurrë nuk e kena keqpërdor as rrymën, as ujin. Na lokalin e kemi me qira. Unë 80 vjet pi boj, kurrë në jetën teme për hajni në familjen teme s’jemi denu, qysh me pranu pa pas fije faji, edhe me germa të mëdhaja i pafajshëm”, ka thënë i akuzuari.

Meqenëse, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi i rastit Rrustem Begolli, e ka njoftuar atë me të drejtat e tij lidhur me kundërshtimin e provave që gjenden në aktakuzë si dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar më 10 shtator 2019, nga ora 9:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 korrik 2016, kishte ngritur aktakuzë ndaj Bejtush Islamit, të cilin e akuzon se prej datës së pavërtetuar e deri më 28 janar 2016, në lokalin e tij në Prishtinë, me qëllim që vetit t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka vjedhur energjinë elektrike, duke e marrë dhe shfrytëzuar pa autorizimin e KEDS-it.

Sipas aktakuzës, njehsori elektrik ishte falsifikuar, pasi që në brendi të tij komisioni ka konstatuar se shifra e tretë, e katër, dhe e pestë në T1, dhe shifra e tretë, e katërt dhe e pestë në T2, janë të ndryshuara, me ç’rast të dëmtuarës, Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike- KEDS, Distrikti në Prishtinë, i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 1,271.16 euro.

Me këto veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin me dy vepra penale dhe atë, “vjedhja e shërbimeve komunale” nga neni 320, si dhe “ndryshimi i njehsorit të shërbimeve”, nga neni 323 par.1 dhe par.2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi