I akuzuari mohon të ketë vjedhur kabllo elektrike nga një fabrikë në Bokshiq të Klinës

IMG_4812
Author

Raporton: Edmond MARLEKU

Korrik 10, 2019

Klinë – I akuzuari për vjedhje të rëndë, Blert Binaku, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare, të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i çështjes Astrit Gashi, i akuzuari Binaku, ka mohuar fajësinë lidhur me akuzën me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë po kërkoj prej jush që t’i thirrni krejt ata dëshmitarë, që më kanë përmend për këtë vjedhje, fajësinë nuk e pranoj për një vepër që nuk e kam bo kurrë”, ka deklaruar i akuzuari Binaku.

Ai gjithashtu ka kërkuar që në seancën e radhës të ftohen dëshmitari Cenë Binaku, si dhe pronari i fabrikës së bllokut, i dëmtuari Isa Ibishi.

Ndërsa, pas njoftimit nga ana e gjykatëses së rastit Sabrije Rraci, që në seancën e shqyrtimit të dytë, i akuzuari në afatin prej 30 ditësh, ka të drejtë të parashtrojë kërkesë për kundërshtimin e provave, si dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës, i akuzuari Binaku, ka kërkuar që menjëherë të kalohet në shqyrtim gjyqësor.

Duke u bazuar në këtë, gjykatësja Rraci, me aktvendim e ka aprovuar kërkesën që të kalohet në shqyrtim gjyqësor, dhe në seancën e radhës të ftohen i dëmtuari Isa Ibishi, si dhe dëshmitari tjetër, Cenë Binaku.

Ndërsa, seanca e radhës është caktuar të mbahet më 31 korrik 2019, në orën 09:30.

Ndryshe, lidhur me këtë rast, kanë qenë të akuzuar për vjedhje të rëndë në bashkëkryerje, edhe Dukagjin Hamza, Astrit Fazlia, si dhe Muhamet Binaku, por ndaj tyre ishte veçuar procedura gjyqësore.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 janar 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Blert Binaku, akuzohet se gjatë muajit gusht 2013, në fshatin Bokshiq të Klinës, në fabrikën e bllokave, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo tjetrin, me dashje ka marrë pasurinë e luajtshme, të dëmtuarit Isa Ibishi, pronar i kësaj fabrike.

Në aktakuzë thuhet se pas një marrëveshje të mëparshme në mes vete, i akuzuari Binaku së bashku me të akuzuarit e tjerë Dukagjin Hamza, Astrit Fazlia, si dhe Muhamet Binaku, dhe dëshmitari i mitur C.B, shkojnë tek fabrika, e cila ishte në ndërtim e sipër, depërtojnë me forcë në brendësi të oborrit të saj, nga ku marrin 900 metra kabllo elektrike, e më pas të njëjtën e kanë shitur në deponinë e hekurishtes “Euro Steel”.

Për shkak të këtyre veprimeve, sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, të akuzuarit në bashkëveprim kanë kryer vepër penale “vjedhje e rëndë”, nga nenin 327, paragrafi 2, nën paragrafi 2.1, e lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi