I akuzuari mohon të ketë kanosur zyrtarët policorë

20190611_101058
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Qershor 11, 2019

Istog – Në seancën fillestare të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog,  i akuzuari Sadik Verbaj, ka mohuar të ketë kanosur zyrtarët policorë.

Pasi që prokurori Arben Hoti e ka njoftuar atë me aktakuzën, gjegjësisht për veprën penale e cila i bie në barrë, i akuzuari është deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë vetëm u kam thënë policëve pse dikë po e dënoni, e dikë jo. Kam qenë në lokalin tim dhe nuk kam pasur arsye që ta kërcënoj askë”, ka thënë ai.

Ndërkaq, gjykatësi Arben Mustafaj tha se seanca e shqyrtimit gjyqësor do të mbahet më 29 korrik 2019, nga ora 9:00.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë e 8 marsit 2019, e ngarkon të akuzuarin Verbaj me veprën penale të kanosjes.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri më 13 shkurt 2019, rreth orës 10:55, në rrugën “2 korriku”, në Istog, pikërisht pranë lokalit “Vera”, seriozisht i ka kanosur personat zyrtarë, Flamur Balaj dhe Zemir Sabotiq, me fjalët së do t’u shkaktojë ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit.

Sipas aktakuzës, pasi që zyrtarët policorë ishin duke kryer punën e tyre, respektivisht duke e zbatuar planin operativ “Trotuare të lira”, dhe pasi që kishin ndaluar para lokalit të të pandehurit ku ishte e ndaluar një veturë e parkuar në trotuar, aty ata fillojnë t’i shqiptojnë gjobën për kundërvajtje, dhe si pasojë e kësaj, i pandehuri ka dal nga lokali, pronar i të cilit është, duke iu drejtuar zyrtarëve policorë me fjalët “pse po shkruani tiketa para lokalit tim”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi që zyrtarët policorë i sugjerojnë të pandehurit që të mos i pengojë në detyrat zyrtare, ai iu drejtohet me fjalët “keni me ma pa sherrin, keni me pa kush jam unë”, me çka të dëmtuarve u ka shkaktuar frikë, ku për këtë i pandehuri arrestohet nga policia. /Betimipërdrejtësi