I akuzuari mohon ta ketë vjedhur telefonin nga shoqja e klasës

82634366_177802696795516_956900176469950464_n
Author

Raporton: Arlinda MUQA

Prill 7, 2021

Pejë – Është deklaruar i pafajshëm i akuzuari për vjedhje, Dren Berisha, në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë.

Pasi aktakuza u konsiderua e lexuar dhe pasi i pandehuri Berisha u njoftua nga gjykatësi Ahmet Rexhaj me të drejtën për pranimin e fajësisë, i njëjti deklaroi se e konsideron veten të pafajshëm.

“Deklarohem i pafajshëm. E kam të qartë aktakuzën dhe benefitet e pranimit, por nuk e pranoj sepse e konsideroj vetën të pafajshëm”, tha i pandehuri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Berisha gjithashtu deklaroi se heq dorë nga kërkesa për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në këto rrethana, gjykatësi Rexhaj e caktoi shqyrtimin kryesor për 26 prill 2021, në ora 10:00.

Ndryshe, prezent në seancën e së mërkurës ishte edhe prokurori Ersan Qavolli.

Sipas aktakuzës së ngritur me 28 korrik 2017, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Dren Berisha akuzohet se me 20 prill 2017, rreth orës 14:30, në shkollën e mesme “Shaban Spahija” në Pejë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm, tjetrit ia merr pasurinë dhe atë të dëmtuarës Fjolla Gashi.

Në dispozitiv thuhet se pasi e dëmtuara ia kishte dhënë telefonin një shokut tjetër të klasës për të dëgjuar muzikë, i pandehuri me dhunë ia merr atij telefonin nga dora dhe largohet në drejtim të qytetit.

Për këto veprime, Berisha po akuzohet për veprën penale “vjedhje”, nga neni 325, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi