I akuzuari mohon ta ketë vjedhur telefonin dhe kuletën, thotë se në atë kohë ishte jashtë vendit

Gjykata4 (2)
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Qershor 10, 2019

Prishtinë – I akuzuari Azem Dedinca, e ka mohuar të ketë kryer veprën penale të vjedhjes, në seancën e shqyrtimit gjyqësor të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton ”Betimi për Drejtësi”.

Ai pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rrahim Podvorica, ka mohuar të ketë kryer veprën penale të vjedhjes, pasi që sipas tij, në kohën për të cilën akuzohet, ai kishte qenë ashtë vendit.

“Jo nuk e pranoj se nuk jom kon në 2014 këtu, s’jom kon në territor të Kosovës hiq. Ju me ma  veshë muni, ama unë se pranoj, se nuk jom kon në 2014, s’ka shans me kon këtu as në 2015, as 2016”, tha ai.

Ndërsa, në këtë seancë ka munguar pala e dëmtuar, Nexhmije Berisha, për të cilën gjykatësi Rrustem Begolli tha se ishte ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo se gjykata nuk ka prova nëse ajo e ka pranuar ftesën.

Pasi që në këtë seancë i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë si dhe pala e dëmtuar nuk ishte prezent, gjykatësi Begolli e ka caktuar seancën e radhës për 22 korrik, duke filluar nga ora 9:00.

Ndryshe, në këtë rast i akuzuar ka qenë edhe Faton Pllana për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen  e veprës penale”, mirëpo ndaj të njëjtit në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 8 prill të këtij viti, gjykatësi Begolli kishte njoftuar se për këtë vepër ka arritur parashkrimi i ndjekjes penale.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 19 shkurt 2016, Azem Dedinca akuzohet se më 7 prill 2014, rreth orës 09:00, në objektin e organizatës “KGM AMF”, në rrugën “24 Maji”, në Prishtinë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete, nga tavolina e punës e ka marrë telefonin e tipit “Nokia”, si dhe kuletën me 20 euro, pronë e të dëmtuarës Nexhmije Berisha.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Azem Dedinca se ka kryer veprën penale “Vjedhja”, nga neni 325 par.1 të KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari Faton Pllana, akuzohet se në muajin prill të vitit 2014, në fshatin Leshkoshiq, Komuna e Obiliqit, edhe pse ka mundur që ta dijë se i njëjti është përfituar me kryerjen e veprës penale, ka blerë për çmimin prej 10 euro telefonin e tipit “Nokia”, pronë e të dëmtuarës Berisha, nga i akuzuari Azem Dedinca.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Faton Pllana, se ka kryer veprën “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, nga neni 345 par.2 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi