I akuzuari mohon ta ketë sulmuar inspektorin e ndërtimit në Komunën e Drenasit

unnamed
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Dhjetor 2, 2019

 

Drenas – I akuzuari Sami Qorri, ka mohuar ta ketë sulmuar inspektorin e ndërtimit në Komunën e Drenasit, Fitim Veliqi.

Një deklarim të tillë, ai e ka dhënë në seancën e shqyrtimit të dytë gjyqësor, që është mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për një gjë të tillë, i akuzuari Qorri, ngarkohet me veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

I akuzuari e ka kundërshtuar aktakuzën ndaj tij, duke pretenduar se vetëm është fjalosur me tani të dëmtuarin dhe se atë nuk e ka sulmuar.

“Nuk është e vërtetë që të njëjtin e kam goditur me grusht në pjesën e gojës dhe fytyrës. Deklaroj se vetëm e kam larguar që të më lëshoj rrugën”, ka thënë i akuzuari Qorri.

Sipas tij, ka qenë i dëmtuari i cili e ka provokuar dhe ka filluar të fjaloset me të.

Ai ka thënë se ata janë fjalosur për një rast tjetër, për të cilin, ai dhe djali i tij, të dëmtuarin e kanë paraqitur në polici, i cili në cilësinë e inspektorit, sipas tij, kishte kërkuar ryshfet dhe rasti është në procedurë.

Sipas tij, kjo ngjarje kishte ndodhur dy muaj para se të ndodhte rasti për të cilin ai akuzohet.

Prokurori Musa Mehaj, ka kundërshtuar pretendimet e të akuzuarit, duke kërkuar që atë të refuzohen si të pabazuara.

Ai ka thënë se nga provat qe gjenden në shkresat e lëndës dhe atë nga dëshmia e të dëmtuarit Fitim Veliqi, dëshmitareve Halime Zeneli dhe Lavdie Bajraktari, të cilat do të  tregojnë tërë rrjedhjen e ngjarjes, ku sipas tij, gjykata nuk ka kurrfarë pengese të caktojë shqyrtimin gjyqësor.

Seanca e radhës është caktuar më 4 shkurt 2020, nga ora 10:30, në të cilën pritet të dëgjohen dëshmitaret Lavdie Bajraktari, si dhe Halime Zeneli-Bardhi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 13 shtator 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Sami Qorrit, të cilin e ka ngarkuar me veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, nga neni 410, paragrafi.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se  më 5 prill 2019, rreth orës 10:40, në Drenas, në rrugën “Adem Mulaj”, në afërsi “Eclips Bar”, derisa i dëmtuari Fitim Veliqi, së bashku me dy inspektore tjera komunale, Lavdije Bajraktari dhe Halime Bardhi-Zeneli, ishin duke e kryer detyrën zyrtare si inspektorë komunalë të ndërtimit për verifikimin e respektimit të urdhrit për ndërprerjen e punimeve në objektin që ishte aneks i lokalit “Exlips Bar”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri del nga lokali “Exlips Bar”, ku me dashje e sulmon të dëmtuarin, në atë mënyrë që fillimisht i drejtohet me fjalët kërcënuese me ton të lartë “zhdukmu nga këtu, ti nuk guxon asnjëherë me ardh në këtë vend dhe as në një vend tjetër ku jam unë aty”.

Gjithmonë, siç pretendohet në aktakuzë, i pandehuri Qorri i vërsulet  duke iu afruar, ashtu që e godet me grusht në pjesën e gojës dhe fytyrës , pastaj ia shtrëngon mjekrën edhe për disa momente, e shtynë prapa, duke ia cenuar integritetin trupor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.  /BetimipërDrejtësi