I akuzuari mohon ta ketë shtytë një person që t’i kryejë tri vrasje duke i premtuar 320 mijë euro

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – I akuzuari Manojl Gjidoda, të premten, ka mohuar ta ketë shtytë një person në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë e mbetur në tentativë.

Gjidoda po akuzohet se e kishte shtytë një person që të kryejë vrasje të trefishtë duke i premtuar të holla në shumën e përgjithshme prej 320 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Dëshire Jusaj, dhe njoftimit me të drejtat e tij nga ana e gjykatësit Ilir Rashkaj, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

“Jam plotësisht i pafajshëm”, tha ai.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ndrecë Dodaj, tha se e mbështet deklarimin e të akuzuarit dhe me qëllim të zgjidhjes sa më të shpejtë të kësaj çështje penale heq dorë nga parashtrimi i kërkesës për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në këto rrethana, gjykatësi Rashkaj seancën e shqyrtimit gjyqësor e ka caktuar që të mbahet më 29 gusht 2022.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Manojl Gjidoda, nga fundi i muajit janar dhe fillimi i muajit shkurt i vitit 2020, me dashje shtytë personin tjetër dhe atë Lekë Markun, që të kryejë vrasje të trefishtë, duke i premtuar të holla në shuma të larta për kryerjen e këtyre vrasjeve.

Sipas aktakuzës, i akuzuari fillimisht e thërret kinse për të biseduar rreth shitblerjes së një banese në Gjakovë, më pas takohet në lokalin “Scorpion”, ndërsa të nesërmen në parkingun e restorantit “Metropol” në Gjakovë, ku me veturë të Lekës shkojnë tek Liqeni i Radoniqit dhe aty bisedohet për kryerjen e tri vrasjeve, dhe atë për vrasjen e Brahim Shalës do të jepet shuma prej 20 mijë euro, për vrasjen e Gjelbrin Gjoshit shuma prej 200 mijë euro, dhe për vrasjen e djalit të Brahimit që gjendet në vuajtje të dënimit Qëndrimit shumën prej 100 mijë euro.

Tutje sipas aktakuzës, duke i thënë bindshëm i akuzuari Lekës se “Unë t’i bi paret ty, në atë minut që ja shohim syretin në bander, unë t’i bi senet në Kosovë, ty s’do të njeh askush sa të jetë toka me gjinë, kurrë, njeriu që ka mu njoftë kam me kanë unë, se kam me i pru paret, askush s’ka me ditë kush shka u ba, pse cka u ba, paret do të vijnë dy herësh në dorë, si t’i knohet talkni ktij, këtu e marrin vesh se e kena kry, dillen të thirri unë ty dhe të thom deri me 10 maj me kanë i krym, me 15, 17 maj qat 20,000 ta bi edhe kur të tjerat janë të kryme”, pastaj pas disa ditësh Lekë Markaj shkon tek restoranti “Potok”, ku kishte lënë takim me Gjelbrim Gjoshin të cilin e njofon në tërësi për personin i cili ishte duke e shtytë për të kryer vrasjen me pagesë ndaj tij dhe dy të tjerëve.

Me këto veprime ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shtytje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.8 lidhur me nenin 32 dhe 28 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç̧ nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prere

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë