I akuzuari mohon ta ketë poseduar narkotikun për shitje, thotë se e kishte për përdorim personal

FOTO 10 dhjetor
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Janar 29, 2020

Pejë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë, nuk e ka pranuar fajësinë, i akuzuari për veprën penale “blerja posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar i substancave narkotike, psikotropoe ose analoge”, Denis Gjokoviq.

Në seancën fillestare, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Haxhi Sinanaj, i akuzuari deklaroi se nuk është fajtor për veprën penale, siç përshkruhet në aktakuzë.

Ai deklaroi që narkotikun e ka pasur vetëm për përdorim personal, dhe jo për shpërndarje ose shitje.

Meqenëse, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjyqtari Sylë Lokaj, e njoftoi që në afat prej 30 ditësh, ka të drejtën që të paraqesë me shkrim kundërshtimin e akuzës dhe provave.

Sipas tij, seanca e shqyrtimit të dytë do të caktohet brenda afatit ligjor, pasi që të pranohen kundërshtimet rreth akuzës dhe përgjigjet e kundërshtimeve.

Ndryshe, në seancën fillestare, prezent ishte edhe mbrojtësi i të akuzuarit sipas detyrës zyrtare, avokati Shaban Shala.

Sipas aktakuzës së ngritur me 29 tetor 2019, Denis Gjokoviq akuzohet se më 31 korrik 2019, në magjistralen Vitomericë-Pejë, pa autorizim dhe me qëllim të shpërndarjes ka poseduar narkotikë, për çka akuzohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar i substancave narkotike, psikotropoe ose analoge”, nga neni 267, paragrafi 1 të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se pas një kontrolli nga zyrtarët policorë, në automjetin ku i akuzuari ishte pasagjer, është gjetur një pako e cigares, brenda së cilës kishte pasur 1.6 gram narkotikë të llojit kokainë, të cilin e kishte pasur për qëllim të shpërndarjes.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, në makinë atij i është gjetur edhe një makinë për bluarjen e narkotikut, kurse në shtëpinë e të pandehurit i është gjetur 0.027 mg marihuanë, e cila më pas  është konfiskuar. /BetimipërDrejtësi