I akuzuari mohon ta ketë kryer grabitjen e vitit 2006, i dëmtuari thotë se atij ia grabitën rreth 14 mijë euro

IMG_20190208_114923
Author

Raporton: Valentina SHAHINI – GRAJҪVCI

Shkurt 8, 2019

Prishtinë – I akuzuari për veprën penale të grabitjes, Mujë Tërstena, është deklaruar i pafajshëm në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai akuzohet se në janar të vitit 2006, në lagjen “Velania” në Prishtinë, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme, vetes ose tjetrit t’i sjell dobi pasurore, i akuzuari Tërstena në bashkëkryerje edhe me dy persona NN, kishin hyrë në shtëpinë e Besim Domit, nga ku kishin marrë para në vlerë prej rreth 14 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës, nga prokurorja e rastit, Bukurije Gjonbalaj, i akuzuari e ka mohuar akuzën me të cilën ngarkohet.

Më pas, në seancën e së premtes, është dhënë fjala hyrëse, është dëgjuar i dëmtuari Besim Domi si dhe janë dëgjuar edhe dy dëshmitarë, Arben Zhdredha, Qerim Halimi.

Në fjalën hyrëse, prokuroria Gjonbalaj, ka deklaruar se aktakuza është mbështetur në prova të mjaftueshme, në veçanti nga dëshmia e të dëmtuarit Besim Domi, dhe në bazë të kësaj do të vërtetohet teza e akuzës.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Tërstena, avokati Hasan Rexha, në fjalën hyrëse ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk do të arrihet të vërtetohet fajësia e të mbrojturit të tij, sepse prokuroria nuk ka siguruar asnjë provë materiale.

Në këtë seancë, i dëmtuari Besim Domi, ka deklaruar se atij i ishin marrë rreth 14 mijë euro.

Në pyetjet e prokurores Bukurie Gjonbalaj, i dëmtuari – dëshmitari Besim Domi ka thënë se i pandehuri për grabitje, ia kishin marrë rreth 14 mijë euro, disa para në xhep dhe stoli të gruas së tij të ndjerë.

Lidhur me ngjarjen ai ka thënë se në natën kritike kishte shkuar në shtëpi dhe pasi kishte hyrë brenda, në korridorin e shtëpisë i kishin dal përpara dy persona me maska në kokë.

“Ata posa më kanë parë mua, mu kanë afruar dhe më kanë lidhur me një konop dhe ma kanë vendosur një thes në kokë, pastaj më kanë hipur në katin e dytë të shtëpisë”, tha Domi.

Ai ka thënë se të akuzuarit për grabitje kishin qenë shumë profesionist në këtë punë.

“Shumë kanë qenë profesionistë ata, kanë kërkuar çdo kund, por nuk kanë mundur me gjet para, pastaj më kanë thënë ja tregona ku janë paret ja të vrasim. Unë i tregova se parat gjenden në katin e parë të shtëpisë tek krevati dhe të njëjtit mi kanë marr paratë e pazarit”, tha Domi.

Ai ka thënë se i akuzuari i kishte kërkuar që t’ia jep 100 mijë euro, ose përndryshe do ta kishin vrarë, por i dëmtuari u kishte thënë “mbytemi unë nuk i kam 100 mijë euro”.

“Ata kanë shkuar dhe më kanë lanë të lidhur, unë gati për një orë kam dal jashtë shtëpisë, ku para derës së shtëpisë i kam gjetur çelësat e shtëpisë që grabitësit i kishin lënë, jam zgjidhur nga litari dhe kam shkuar tek komshiu im Zhdredha, ja kam kërkuar telefonin dhe e kam thirrur polici”, ka thënë ai.

Në pyetjet e prokurores Gjonbalaj, se ai në fillim kur ka dhënë deklaratën e parë kishte thënë se dyshon në djalin tënd, Ardian Domi dhe dëshmitarin Arben Zhdredha, i njëjti ka deklaruar se kishte folur pa menduar.

Në pyetjen se si i kishte identifikuar të akuzuarit, ai ka thënë se posa e kishin thirrur policia, nga katër të dyshuarve, dy persona i kishte identifikuar në bazë të zërit, ngjyrës së flokëve dhe gjatësisë së tyre.

“Njëri nga grabitësit ka qenë i gjatë, flokë ngjyrë ari dhe hundë të madhe, tjetri ka qenë më i shkurtër dhe flokë zi”, tha i dëmtuari Domi.

Në pyetjen e trupit gjykues se a kishin rrahur të pandehurit gjatë natës kritike, ai ka deklaruar se nuk e kishin rrahur, dhe nuk i kujtohet nëse të njëjtit kishin pasur armë në duar.

Aj gjatë seancës të së premtes, ka paraqitur edhe kërkesën pasurore juridike.

Në seancën e së premtes, dëshminë e tij e ka dhënë edhe Arben Zhdredha, i cili ka deklaruar se natën kritike nuk ka parë asgjë, përveç kur i dëmtuari kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe ia kishte kërkuar çelësin e shtëpisë dhe i kishte treguar se çfarë kishte ndodhur.

“Unë kam punuar tek Besim Domi deri 3 javë pas rastit, i kam ndihmuar gjithmonë, dhe ditën kritike kam shkuar e kam marr në aeroport sepse ai ka qenë në Zvicër, e kam pru te shpija e tij”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ditën kritike kishte shkuar tek motra e të dëmtuarit Domi, ia kishte marr një qese, por ai ka shtuar se nuk e kishte hapur dhe nuk e kishte ditur se çfarë kishte pasur në të.

Në pyetjen, se a e kishte pasur çelësin e shtëpisë së të dëmtuarin Domi, ai ka deklaruar se e kishte pasur gjatë kohës sa i dëmtuari kishte qenë në Zvicër dhe ai ia kishte hapur derën punëtorëve të cilët kishin punuar në shtëpinë e Besim Domit.

Ai ka deklaruar se nuk i kujtohet se çfarë ka ndodhur gjatë asaj nate se ka kaluar kohë e gjatë.

Dëshminë e tij në gjykimin e të akuzuarit për grabitje, e ka dhënë edhe dëshmitari Qerim Halimi, i cili në kohën kur kishte ndodhur rasti, i njëjti kishte punuar në shtëpinë e të dëmtuarit Domi.

“Unë nuk di asgjë lidhur me rastin, unë kam punuar atë ditë si çdo ditë tjetër. Në katin e tretë të shtëpisë së të dëmtuarit, nuk kam vërejt asgjë, s’kam parë se a ka hyrë kush a ka dal se kati i tretë ka qenë i mbyllur”, ka thënë ai.

Në pyetjen se a e ka pasur çelësin e shtëpisë së të dëmtuarit, ai ka thënë se nuk ka pas, dhe shtëpinë e kanë hapur i dëmtuari Domi dhe ndonjëherë punëtori i tij Zhdredha.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 5 mars 2019, duke filluar nga ora 13:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 28 janar 2016, pretendohet se me 13 janar 2006, në lagjen “Velania” në Prishtinë, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme, vetes ose tjetrit t’i sjell dobi pasurore, i akuzuari Tërstena në bashkëkryerje edhe me dy persona NN, kishin hyrë në shtëpinë e Besim Domit.

Në aktakuzë thuhet se paraprakisht ata kishin pasur informacione se në shtëpinë e të dëmtuarit Domi gjendet një sasi e madhe parash.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Besim Makolli, i cili gjendet në arrati, dhe Mujë Tërstena, të maskuar me çorape në kokë, me të ardhur i dëmtuari në shtëpi e kishin sulmuar me armë, duke e kërcënuar se do ta vrasin nëse nuk vepron sipas urdhrave të tyre.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të pandehurit ia kanë lidhur duart dhe e kanë detyruar që ta hap arkën, e cila kishte qenë në katin e parë të shtëpisë, ku i kishin marr stoli, pastaj të dëmtuarit ia kanë vënë një thes të bardh në kokë dhe e kanë hipur në katin e dytë të shtëpisë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, pretendohet se pasi të dëmtuarin e kishin hipur në katin e dytë, këmbët ia kishin lidh me konop të fortë, e pastaj kanë filluar të kontrollojnë, demolojnë gjithçka, ku më pas  i kanë gjetur të hollat e pazarit ditor në vlerë prej 15 mijë eurove.

Sipas aktakuzës, paratë kishin qenë të vendosura në një qese, dhe pasi i kanë marrë këto holla, përsëri nën kërcënimin e armës i janë drejtuar të dëmtuarit me fjalën “qiti edhe paratë tjera, 100 mijë euro, ku i ke m shef”.

Sipas aktakuzës, pasi i dëmtuari i ka thënë “se muni mem vra se 100 mijë euro nuk i kam”, kanë ikur dhe e kanë lënë të lidhur të dëmtuarin, dhe duke e kërcënuar që për gjysme ore të mos lëviz nga aty.

Me këto veprime, i akuzuari dyshohet se ka kryer në bashkëkryerje veprën penale “grabitje”, nga neni 255 i KPK-së.