Pejë- I akuzuari për kanosje, Hamid Krasniqi, u deklarua i pafajshëm, në seancën fillestare, të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Pejë.
Pasi që akuza është konsideruar e lexuar, i akuzuari Krasniqi deklaroi se nuk e ndjen vetën fajtor për veprën penale të kanosjes, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Meqenëse i akuzuari nuk e pranoi fajësinë, gjyqtari Shaqë Curri, të njëjtin e njoftoi që në afat prej 30 ditësh, ka të drejtën të paraqesë kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Seanca e shqyrtimit të dytë do të mbahet me 29 mars 2021, në ora 09:00.
Ndryshe prezent në gjykim ishte i akuzuari Hamid Krasniqi dhe prokurorja e shtetit Lumturije Hoxha.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, i pandehuri Hamid Krasniqi po akuzohet se me 6 qershor 2020, në fshatin Vitomericë, Komuna e Pejës, përderisa ishte duke luajtur shah me të dëmtuarin Sheshivar Selmanaj, të njëjtin e ka kanosur me fjalët ‘‘unë ta q..nënën plumb’’, dhe më pas i merr të gjitha figurat e shahut dhe i hedhë poshtë, për çka i dëmtuari më pas e lajmëron rastin në polici.
Për këto veprime, Hamid Krasniqi akuzohet për veprën penale ‘‘Kanosja’’, nga neni 181 par. 2 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi