I akuzuari mohon ta ketë hedhur me qëllim dheun për ta dëmtuar lulen me rëndësi shkencore

Gjykata33
Author

Raporton: Anesa HOXHA

Gusht 7, 2019

Prishtinë – I akuzuari për asgjësim apo dëmtim të pasurisë, Avdi Kryeziu, është deklaruar i pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Ai akuzohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se më 14 gusht 2013, kishte hedhur dheun në fermën “Didaktika Eksperimentale”, pronë e Universitetit të Prishtinës, me ç’rast kishte dëmtuar lulen e quajtur jonxhe, duke e bërë të papërdorshme atë pasuri, e cila sipas aktakuzës, kishte rëndësi të posaçme shkencore për Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë.

Pasi që është lexuar aktakuza nga prokurorja Fatmire Cacaj, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë për veprën me të cilën ngarkohet, duke shtuar se në ditën kritike kishte vepruar në bazë të udhëzimeve të dhëna nga pronari i kompanisë si dhe personi i prezantuar si pronari i tokës.

“Aty na kanë thanë që duhet me mush qatë arë, më ka thonë pronari jem edhe kur kom shku te toka me ka thonë ni person që u prezentu si pronari i tokës. Masanej jon ardh gjinja na kanë thon pse pe gjun dheun ktu, unë i kom thon që pronari më ka thon. Une e pranoj fajin qe e kom gjujt, po nuk e pranoj qe e kom bo me qëllim. Mem pas thon ata pse e ke qitë se s’duhet me qitë, na e kishim hek, pa shku ma larg kjo punë”, ka thënë i akuzuari.

Pasi që gjykatësi i rastit Avni Syla, e ka njoftuar të akuzuarin lidhur me të drejtat e tij për paraqitjen e kërkesës për hudhje të aktakuzës si dhe kundërshtimin e provave, ai ka hequr dorë nga kjo e drejtë e tij dhe ka kërkuar të shkohet direkt në shqyrtimin gjyqësor.

Andaj, në rrethana të tilla, gjykatësi Syla, e ka caktuar seancën e shqyrtimit gjyqësor për 25 shtator. në ora 9:30, ku do të japin dëshminë e tyre, i dëmtuari Selim Kida, si dhe dëshmitari Sabit Kryeziu.

Ndryshe, gjykatësi Syla ka njoftuar se kjo çështje penale kishte filluar nga gjykatësi paraprak ku ishin mbajtur dy seanca, mirëpo pasi që është ndërruar trupi gjykues ky rast do të zhvillohet nga fillimi.

Sipas aktakuzës së ngritur më 18 dhjetor 2014, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Avdi Kryeziu akuzohet se më 14 gusht 2013, në Fushë Kosovë, përmes menaxherit të “Didaktika Eksperimentale”, pronë e Universitetit të Prishtinës, ka mësuar se përmes kujdestarit Xhabir Potera, i akuzuari ka bartur dheun dhe mbeturinat me kamion, pronë e Sabit Kryeziut, duke hedhur dheun mbi një lule e quajtur jonxhe.

Prokuroria pretendon se i akuzuari , të dëmtuarës, i ka shkaktuar dëm të konsideruar matgerial, pasi që atë pasuri e ka bërë të papërdorshme, e cila ka pasur rëndësi të posaçme shkencore, teknike për Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “asgjëim apo dëmtim i pasurisë” nga neni 333 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi