I akuzuari mohon ta ketë fotografuar votën në zgjedhjet e sivjetshme parlamentare

Xhemajl Kadiri foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Nëntor 15, 2019

 


Gjakovë – I akuzuari Xhemajl Kadiri, në seancën fillestare të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, , është deklaruar i pafajshëm për cenim të fshehtësisë së votimit.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori, Ramiz Buzhala, i akuzuari Kadiri deklaroi se nuk e ndien vetën fajtor për veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Meqenëse, i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi Gëzim Pozhegu, seancën e shqyrtimit të dytë e ka caktuar të mbahet më 16 dhjetor, në ora 10:30, derisa e ka njoftuar të akuzuarin se ka të drejtë t’i paraqesë kundërshtimet lidhur me provat si dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 29 tetor 2019, Xhemajl Kadiri po ngarkohet me veprën penale “cenim i fshehtësisë së votimit” nga neni 215 paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës, më 6 tetor 2019, rreth orës 10:00 në Rahovec, pikërisht në vendvotimin 1602A/03D të vendosur në shkollën e mesme “Xhelal Hajda”, në mënyrë të kundërligjshme e cenon fshehtësinë e votimit në zgjedhjet nacionale të vitit 2019 për deputetë në Parlamentin e Republikës së Kosovës.

Në aktakuzë thuhet se në ditën kritike pasi ka plotësuar fletëvotimin me telefonin e tij e ka fotografuar, dhe pasi është njoftuar nga ana e komisionerit zgjedhor të vendvotimit se fotografimi i fletëvotimit është i ndaluar, i pandehuri përgjigjet “se kjo është e drejtë e imja”, për rastin më pas është njoftuar policia dhe i njëjti është arrestuar. /BetimipërDrejtësi