I akuzuari mohon se veturën që mori me qira në Gjakovë ia shiti një personi tjetër

Raporton: Senad Lokaj

Gjakovë – I akuzuari Fitim Islamaj ka mohuar se veturën “Audi A3” të cilën e kishte marrë me qira, nuk ia kishte kthyer pronarit të saj, por ia kishte shitur një personi tjetër.

Pasi që aktakuza u konsiderua e lexuar me kërkesë të të akuzuarit, i njëjti tha se nuk e pranon fajësinë për veprën penale “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”.

Në këto rrethana, meqenëse i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësja Ilirjana Hoti tha se seanca e shqyrtimit të dytë do të  mbahet më 21 shtator 2022.

Ajo e njoftoi të akuzuarin se në afat prej 15 ditësh ka të drejtë të parashtrojë me shkrim kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se më 16 qershor 2020, gjatë asaj dite, në rrugën “Wesley Clark” në Gjakovë, pikërisht në biznesin Rent a Car ”Gazi”, e përvetëson pasurinë që i është besuar.

Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që ditën kritike i akuzuari kishte shkuar në dyqanin e të dëmtuarit Gazmend Krasniqi dhe ka kërkuar një veturë me qira, pasi janë dakorduar, i dëmtuari ia jep veturën “Audi A3”, në gjendje të mirë, me autorizim për shfrytëzim deri më 18.06.2020, meqenëse i dëmtuari nuk e kthen veturën me datën e caktuar, atëherë i dëmtuari merr informacion se vetura e lartcekur i ishte shitur personit Faruk Xani, në atë moment menjëherë i dëmtuari e paraqet rastin në polici.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pasurisë së huaj” nga neni 318 paragrafi 1 i Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë